Ballina Europë Fermerët francezë “zbarkojnë” te shtëpia e Macron: E “pushtojnë” me lakra, goma...

Fermerët francezë “zbarkojnë” te shtëpia e Macron: E “pushtojnë” me lakra, goma dhe një arkivol

13
0

Që nga orët e para të së premtes, 19 dhjetor, fermerë francezë janë mbledhur përpara shtëpisë së pushimeve të presidentit Emmanuel Macron dhe bashkëshortes së tij në Touquet, duke zhvilluar një protestë simbolike kundër taksave të larta dhe politikave bujqësore.

Me traktorë, banderola, lakra, goma dhe madje edhe një arkivol, fermerët kanë protestuar për atë që e quajnë “vdekja e botës rurale”. Përpara vilës së ruajtur nga forcat e sigurisë, protestuesit hodhën karroca me lakra dhe goma, ndërsa në pankarta shkruhej: “Hani ushqim francez” dhe “Ndaloni taksat”.

Protesta vjen pas njoftimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për shtyrjen e nënshkrimit të marrëveshjes BE–Mercosur për në muajin janar. Konfederata e fermerëve FNSEA e cilësoi këtë vendim si të pamjaftueshëm dhe u bëri thirrje anëtarëve të saj të vijojnë protestat.

Prej disa ditësh, qindra fermerë në zona të ndryshme të Francës, veçanërisht në jugperëndim, kanë organizuar bllokada rrugësh dhe demonstrata, ndërsa disa prej tyre kanë shkuar edhe në Bruksel për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave evropiane.