Kryeministri Edi Rama, e ka pranuar që masat për ndalimin e TikTok ishin një dështim. Në një intervistë për Politico, kreu i qeverisë pranoi se ndalimi nuk e ka zgjidhur plotësisht dhunën në shkolla.
“Ka qenë efektiv në ndërtimin e marrëdhënieve me TikTok-un dhe në sjelljen e disa masave mbrojtëse që nuk ekzistonin”, është shprehur Rama.
Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë që Shqipëria të mbështesë kufizime të përgjithshme të mediave sociale për të miturit, duke i quajtur ato joefektive.
“Këto janë budallallëqe. Kjo është diçka që Shqipëria nuk do ta marrë në konsideratë. Nuk funksionon”, tha Rama.
Qeveria vendosi ndalimin e TikTok në mars të vitit 2025 pas rreth një viti bisedimesh me TikTok mbi abuzimin online. Goditja fatale me thikë e Martin Canit jashtë një shkolle në Tiranë ishte pika e fundit dhe qeveria urdhëroi ofruesit e shërbimeve të internetit të bllokojnë aksesin në versionet e desktopit dhe të aplikacioneve.
Megjithatë, ky veprim përveç debateve politike, rrjeti social nuk u mbyll dhe për më tepër nuk solli një zgjidhje për dhunën në shkolla e cila vijon të jetë prezente ende dhe sot.







