Ballina Aktualitet Mijëra euro, tendera të dyshimtë që shkojnë për tallava! Degradimi i Shtëpisë...

Mijëra euro, tendera të dyshimtë që shkojnë për tallava! Degradimi i Shtëpisë së Pushimit Durrës

68
0

Dekada më parë, Shtëpia e Pushimit në Durrës, ose siç njihet ndryshe Konvaleshenca, ka qenë një rezidencë elitare që ofronte akomodim për forcat e Policisë së Shtetit. E ndodhur në bregdetin e Durrësit, në afërsitë e Golemit, me një kompleks të përbërë nga godinat e hotelerisë, restoranti dhe çadrat, kjo strukturë shërbente për të trajtuar punonjësit e policisë, me një formë shpërblimi për detyrën e vështirë që kishin në mbrojtje të qytetarëve.

Themi shërbente, pasi sot konvaleshenca ka një histori degradimi dhe, në vend të një strukture të trajtimit të punonjësve të policisë, ka përfunduar në një agjenci që organizon ahengje tallavaje.

Me një vendim të vitit 2006, qeveria vendosi që Shtëpia e Pushimit Durrës, në varësi të Ministrisë së Brendshme, të organizohet si një institucion buxhetor, por që lejohet të gjenerojë të ardhura nga aktiviteti i saj. Sipas vendimit, shërbimi kryesor duhet t’i dedikohet punonjësve të policisë kundrejt një tarife të orientuar në kosto, ndërsa lejon që disa shërbime mund t’u ofrohen edhe palëve të treta.

E gjithë kjo me qëllimin për të siguruar të ardhura dhe për të kryer investime në përmirësimin e ambienteve akomoduese. Por nëse sheh raportet financiare të Shtëpisë së Pushimit, kupton se aty nuk është vënë dorë prej vitesh. Kulmi ka arritur në vitin 2019, kur pas tërmetit të shtatorit dhe atij të nëntorit, godina thuajse u rrënua tërësisht, duke i kushtuar jetën edhe pedagogut të Akademisë së Sigurisë, Bajram Hajdarmataj, i cili ndodhej në ndërtesë gjatë goditjeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit të atij viti.

Ndërkohë sot, kur kanë kaluar 6 vjet nga tërmeti, asgjë nuk ka ndryshuar. Godina vazhdon të jetë e rrënuar dhe në degradim të vazhdueshëm. Aktualisht aty janë funksionale vetëm 15 dhoma, ndërsa të ardhurat që siguroheshin nga shërbimi kanë rënë me 3.5 herë! Në vitin 2019, konvaleshenca gjeneronte 566 mijë euro të ardhura në vit, ndërsa në vitin 2024 janë arkëtuar në total 160 mijë euro. Ministria e Brendshme e konsideron sukses rritjen e të ardhurave me vlerë 3 mijë euro, por nuk merr asnjë përgjegjësi për degradimin e strukturës…

Por krahas degradimit strukturor, kjo shtëpi pushimi e punonjësve të policisë ka pësuar edhe një degradim institucional, duke u kthyer nga një ambient me fokus trajtimin e punonjësve të policisë, në një mejhane me muzikë live…

Ndërsa paketat që ofron Shtëpia e Pushimit gjejnë vend të reklamohen edhe në faqen e Ministrisë së Brendshme, siç është ajo e fundjavës pranverore, ku përfshihet ushqimi, fjetja dhe parkimi… Pyetja që lind në këtë pikë është se, kur Shtëpia e Pushimit gjeneron shumë pak të ardhura nga shitjet dhe një pjesë e parave me të cilat financohet aktiviteti i saj shkon nga buxheti i shtetit, a duhet që paratë e taksapaguesve të shkojnë për festa dhe muzikë live?

Tani të vijmë te një pjesë shumë interesante… tenderat, sepse këtu Shtëpia e Pushimit nuk të fal…

Në procedurën e hapur më 13 maj të këtij viti, kërkohet blerja e artikujve ushqimorë peshk për vlerën 40 mijë euro. Brenda dokumenteve të tenderit rezulton se në total kërkohet të blihet sasi peshku e cilësisë së dytë dhe të tretë për një total prej 3822 kilogramësh. Kjo sasi do të përdoret nga Konvaleshenca për dy sezone verore. Ndërkohë, pyetja që shtrohet është se sa kushton një kilogram peshk në një tender kaq të fryrë. Jua themi ne: plot 10 mijë lekë të vjetra, kur në dyqanet ushqimore të pakicës – dhe jo shumicës, e theksojmë – 1 kilogram nuk kushton më shumë se 8 mijë lekë!

Gara është fituar nga dy operatorët MC Catering dhe 4S, të cilët kanë dhënë një ofertë sa 98% e fondit limit. Por ky nuk është i vetmi tender i çuditshëm, alla-Konvaleshenca.

Në buletinin e datës 10 tetor 2022, Shtëpia e Pushimit Durrës hapi tenderin për blerjen e shezlloneve të plazhit, me fond limit 19.500 euro, pranë fundit të sezonit veror. A mund ta kuptojë dikush se çfarë emergjence kanë pasur drejtuesit që, me anë të kësaj procedure, i lanë vetëm tre ditë kohë operatorëve ekonomikë për të marrë pjesë në garë, duke e shkelur me të dyja këmbët ligjin e Prokurimit Publik?

Në buletin, procedura është njoftuar në datën 10 tetor dhe afati për dorëzimin e ofertave është 13 tetori. Ndërkohë, afati për dorëzimin e mallit është vetëm 20 ditë, çka kufizon pjesëmarrjen e operatorëve në garë! Kjo çon në dyshime serioze se tenderi ka qenë favorizues, për të mos thënë i paracaktuar. Por kjo rrugë e hapjes së tenderave të vegjël, por me çmime të fryra, duket se ka qenë traditë ndër vite…

Në vitin 2018, Shtëpia e Pushimit Durrës kërkonte të blinte artikuj ushqimorë me vlerë totale 137 mijë euro. Për furnizimin me peshk shpenzohen 13 mijë euro, 32 mijë euro për bulmet, 7 mijë euro për bukë dhe 14 mijë euro për fruta-perime… Të gjitha këto shpenzime për një shtëpi pushimi, e cila, bashkë me hotelin, restorantin, muzikën live dhe shitjen e sezonit të plazhit, vitin e shkuar nuk ka arritur të gjenerojë më shumë se 160 mijë euro..!

Dhe këtu nuk po përfshijmë kostot e personelit, edhe pse ajo që reklamon në faqen e saj për personel konvaleshenca janë “robotët”. Sidoqoftë, kjo e robotit është e keqja më e vogël në këtë institucion të izoluar mes pishash, i cili prej kohësh është kthyer në burim tenderash të fryrë dhe qendër e rëndësishme rajonale e tallavasë. / Piranjat/