Kur në media u publikua një faqe nga dosja voluminoze e Belinda Ballukut, qëllimi ishte të tregohej se personi që vendoste për tenderat ishte Edi Rama, kurse Belinda Balluku dhe Evis Berberi ishin veglat e tij në aferat me vlera marramendëse.
Por bashkë me emrin e Edi Ramës, në këtë fletë doli edhe ‘i dyshuari i zakonshëm’ i aferave të qeverisë, botuesi italian, Karlo Bolino.
Deri këtu nuk është ndonjë çudi.
Në përgjime, Bolino i dërgon një mesazh në italisht Ballukut, duke kërkuar favore në emër të një biznesmeni.
Por mënyra se si është e ndërtuar e gjithë kjo skemë e shfaq botuesin italian në rolin e një pengmarrësi.
Në mesazh pretendohej se Balluku nuk po e mbante premtimin për të disbursuar përmes Drejtorisë së Rrugëve këtë biznesmen. Në total bëhej fjalë për rreth 700 mijë euro që duhet të jepeshin për biznesmenin Reis Petrela. Portali Lapsi shkruan se botuesi italian mbyllte pazaret dhe ndante paratë me biznesmenin.
Pikërisht këtu shfaqet roli i tij si një gjobëvënës ndaj biznesmenëve, duke ndërhyrë më pas si sekser që ata të marrin paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Ironia shkon edhe më tej, pasi Balluku i shkruan Evis Berberit ndër të tjera se ‘çunat e tjerë po i mbulojnë nga xhepi i tyre mediat, ty një të kam lënë, e bëre çorap’.
Ky është momenti kur Bolino duhet të ndjehet ‘krenar’ që nuk merr euro nga xhepat e çunave, por mbulohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Përgjimi tronditës vjen pikërisht në kohën kur Bolino dukej sikur kishte nisur një kryqëzatë kundër Belinda Ballukut, diçka që po interpretohet si një goditje që i vjen Ballukut nga krahu mediatik i Erion Veliajt.
Sido që të jetë interpretimi, fakti i frikshëm është se Lubia e vërtetë mediatike në këtë rast është Bolino, i cili është ushqyer me paratë e taksapaguesve shqiptare si nga Edi Rama, ashtu edhe nga Erion Veliaj dhe Belinda Balluku.
Si një pengmarrës i pacipë i biznesmenëve, ai vihet në shërbim të atij që ka nevojën më urgjente.
Në përgjime, Balluku dhe Berberi e quajnë biznesmenin një ‘plehrë’, kur në fakt plehrat e vërteta janë Edi Rama, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku që ushqejnë një pengmarrës si Bolino.
Duke nisur që nga Bunk-Arti, milionat e inceneratorëve, toka e marrë me 1 euro nga dhurata që kishin lënë familjet e vjetra tiranase për të ndërtuar një gjimnaz, Lubia e medieve është shembulli më i keq se si vihet dikush në shërbim të regjimit.
Dhe ironia është se Bolino mbërriti në këtë tokë si shumë të tjerë të huaj, që duan të japin leksione për të ndërtuar një shtet të drejtë, ligjor dhe demokratik.
Nuk ka rëndësi nëse qëndroi apo iku, nuk ka rëndësi nëse është italian apo jo, nuk ka rëndësi nëse quhet Bolino apo Mogherini, koha provoi se janë shushunja që ushqehen me paratë e shqiptarëve për të ndërtuar dhe mbajtur në këmbë regjimin narko-kratik të Edi Ramës./Syri







