Ballina Kulturë “Vitet e para” si baltosen inxhinierët e kënetës së Maliqit/ Nipi i...

“Vitet e para” si baltosen inxhinierët e kënetës së Maliqit/ Nipi i Abdyl Sharrës: Nuk janë tradhtarë, ndërtuan ura pas lufte

27
0

Ata ndërtuan ura në Shqipërinë e pasluftës por u ekzekutuan për një kënetë. Historia megjithatë ende u referohet si sabotatorë dhe meritë për këtë ka propaganda komuniste që  në ditët tona përhapet ende përmes filmave.

Një takim mbi filmin “Vitet e para” vuri përballë faktet e propagandën. Filmat e ish-Kinostudios vijojnë të përballen me kritika sa i takon propagandës komuniste që përçojnë.

Klubi i Filmit “Mësojmë nga e kaluara” i ngritur nga Autoriteti i Dosjeve, shfaqi filmin “Vitet e para” dhe diskutoi me të rinjtë manipulimin historik që përcjell përmes përbaltjes së inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, që cilësohen ende si sabotatorë. Për Autoritetin filmat përballen me dokumentet.

Ndërsa u lexua një  kumtesë e studiueses Sonila Boçi, që argumentonte se dënimi i inxhinierëve të Maliqit qe pjesë e justifikimeve për dështimet e regjimit komunist, nipi i inxhinierit Abdyl Sharra, kërkoi shfaqjen e filmave me një sqarim që ndalon përbaltjen e akuzimin e inxhinierëve si tradhtarë të vendit.

Ai renditi urat që kanë ndërtuar inxhinierët që u ekzekutuan si tradhtarë e sabotatore nga regjimi komunist.

Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Vasil Mano dhe Zyrika Mano qenë inxhinierët e angazhuar me tharjen e Kënetës së Maliqit. Pas një gjyqi pak ditor, të kryesuar nga një nënkolonel dhe dy kapitenë ushtarakë, një vendim 4 faqesh, pa argumente juridikë, I dënoi ata me vdekje pse nuk thahej këneta.

Klubi i filmit shfaqi  dokumente arkivore dhe analiza të studiuesve të historisë dhe të artit duke sjellë këndvështrimet e tyre mbi ideologjinë artin e kinemasë./balkanweb