Në një dalje për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi se Rama dhe Balluku, në bashkëpunim, kanë vjedhur të paktën 50 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes kontratës për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Sipas Bardhit, ishte vetë kryeministri Rama ai që prezantoi ministren Balluku me kompaninë turke, e cila më pas fitoi kontratën pa procedura dhe në shkelje të plotë të ligjit.
“Nuk ka shqiptar që nuk e di se Belinda Balluku nuk e identifikoi e vetme, pa porosi dhe pa urdhër të Edi Ramës, kompaninë turke për ndërtimin e tunelit,” theksoi ai.
Deputeti i opozitës shtoi se nëse kryeministri nuk do të ndjente rrezikun e tij personal në këtë çështje, ai nuk do të ishte duke penguar drejtësinë. Akuza për pengim të drejtësisë vjen në një kohë kur mazhoranca po zvarrit mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili duhet të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ministres Balluku.
Bardhi e cilësoi këtë vonesë si një tentativë për të blerë kohë, me qëllim prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve. Ai iu referua shqetësimit të ngritur nga vetë prokurorët e SPAK se çështja është e ngutshme, pasi prokuroria “ka provuar që zonja Balluku ka intimiduar vartësit e saj” që po bashkëpunojnë me hetimin. Në përgjigje të kësaj situate, opozita ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën me firmat e nevojshme për të thirrur mbledhjen e Këshillit ditën e martë, në orën 11:00.
Bardhi deklaroi se thirrja e mbledhjes është një detyrim ligjor që rrjedh nga rregullorja e Kuvendit dhe çdo veprim i kundërt do të ishte provë e qartë e bllokimit të drejtësisë.
Deklarata e plotë:
“Edi Rama është i qartë, por dhe dosja në fakt e bën të qartë që urdhëruesi i vërtetë i pjesës dërrmuese pra e korruptive, për të cilat sot ka akuzë zyrtare ndaj Belinda Ballukut, urdhëruesi i vërtetë ka qenë Edi Rama.
Besoj nuk ka shqiptar që nuk e dinë që Belinda Balluku nuk identifikoi e vetme dhe pa porosi, pa urdhër të Edi Ramës, kompaninë turke për t’i dhënë ndërtimin e tunelit të Llogarasë. pa procedurë dhe në shkelje të çdo ligji shqiptar. Ishte Edi Rama ai, siç pamjet e kanë treguar, që ka prezantuar zonjën Balluku me kompaninë turke, e cila i vodhi në bashkpunim me këta të dy, pra me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, qytetarëve shqiptarë nga buxheti i tyre të paktën 50 milionë euro.
Që kështu, pa asnjë diskutim, që përmes kësaj çështje dhe fitimit të kohës, po tentohet të vendoset një precedent në vijimësi i pengimit të drejtësisë. Folësi 1: Por unë dua të garantoj qytetarët shqiptarë se sa i takon opozitës, ne do të bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë dhe i garantoj që kjo nuk ka për të ndodhur. Drejtësia do të duhet të ketë të drejtë të trajtojë çdo individ në mënyrë të barabartë përpara ligjit.
Nuk ka disa pak më shumë të barabartë e disa pak më pak të barabartë. E kam thënë, e kemi thënë bashkarisht me kolegët dje në mbledhje që nuk mund të ketë një status të posaçëm Belinda Balluku. Ne kemi dhënë autorizime si kuvendi i Shqipërisë për një të dhjetën e fakteve për të cilat akuzohet sot Belinda Balluku ndaj deputetëve të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë.
Dhe po, u përpoqa ta shpjegoja për të dalë te pyetja e dytë. U përpoqa ta shpjegoja gjatë fjalës time, përveç shtatë procedurave që Prokuroria e Posaçme ka cituar në njoftimin e saj publik, në kërkesën e ardhur në kuvend, nuk bëhet fjalë për shtatë procedura, janë në total 11 procedura prokurimi apo koncesioni për të cilat zonja Balluku është nën hetim. Dhe prokuroria ka paraqitur faktet dhe provat që dëshmojnë korrupsionin apo paracaktimin e kompanive fituese në këto procedura.
Sa i takon mbledhjes së këshillit, më duhet t’ju informoj që ne sot kemi hartuar dhe nënshkruar kërkesën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve, me rend dite dy pika, mbledhjen e Këshillit të Mandateve të martën ora 11:00, për shkak se jemi informuar që të hënën është ceremonia e marrjes së detyrës së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme dhe mund të ketë një axhendë të papërshtatshme dhe që nuk përputhet me mundësinë për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit. Pra, i kemi dhënë hapësirën prokurorit për të kryer procedurën dhe e kemi kërkuar mbledhjen për të martën ora 11:00.
Dhe pika e dytë, njoftimi nga kryetari i Kuvendit i Prokurorisë dhe i të pandehurës Balluku për mbledhjen dhe të drejtën e tyre për të prezantuar. Prokuroria kërkesën për dhënien e autorizimit, zonja Balluku në kuadër të procesit të rregullt ligjor, të drejtën e saj për t’u mbrojtur përpara Këshillit. Folësi 2: Bardhi, do të ta, pyetje që lidhet pikërisht me përgjigjen e fundit në aspekt procedure.
Çfarë ndodh në qoftë se pas kërkesës tuaj të firmosur nga 1/2 e përbërjes së Këshillit të Mandateve, zoti Peleshi sërish nuk e thërret, po them, mbledhjen e Këshillit, nuk lajmëron prokurorët e SPAK. Cila është procedura tjetër? Do të shkojnë opozita me një raport më vete? Pra, ka rrezik që të shkohet me me dy raporte në këtë aspekt? Folësi 1: Ë, kryetari i Kuvendit ka detyrimin ligjor që të thërrasë mbledhjen kur e kërkon 1/2 e anëtarëve. Këtë thotë ligji, rregullorja e Kuvendit dhe këtë do të duhet të bëjë Niko Peleshi.
Çdo alternativë tjetër provon këtë që ne po themi sot, që Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë, Edi Rama po merr kohë që ai vetë, por dhe e pandehura Belinda Balluku, të prishin prova dhe të intimidojnë dëshmitarë. E ripërsëris shqetësimin e ngritur disa herë në mbledhje nga prokurorët e SPAK-ut, që kjo është një çështje e ngutshme, sepse prokuroria ka provuar që zonja Balluku ka intimiduar vartësit e saj. Dhe bëhet fjalë për vartës që janë duke bashkëpunuar me drejtësinë. Pra, janë duke treguar të dhëna që ndihmojnë hetimin. Dhe kjo është arsyeja pse prokurorët kërkuan që mbledhja e ardhshme e Këshillit të jetë pas tre ditësh, maksimumi pesë ditë nga dita e djeshme. Pra, ose të hënën, ose të mërkurën e javës së ardhshme.
Ne si deputetë dhe anëtarë, përfaqësues të opozitës, kërkuam që mbledhja të ishte pas tre ditësh, pra të hënën, ndërkohë që Edi Rama ka vendosur të marrë kohë të pacaktuar, duke thënë fillimisht ta mbledhim pas datës 9 dhe 10 janar, dhe pastaj duke thënë do ta mbledhim në një moment tjetër, do ta vendosim në një moment tjetër. Dhe çfarë ndodhi në mbledhje? Na thanë duam 20 minuta pushim se do mblidhemi ne mes vetes për të caktuar një datë dhe për të ardhur në një datë të unifikuar.
Shkuan në zyrën e kryetarit të Kuvendit, u kthyen me frymëmarrje të marrë, me zor merrnin frymë, s’di ç’kishte ndodhur, dhe thanë mbyllim mbledhjen pa caktuar datë. Pra, morën 20 minuta që të caktonin një datë dhe u kthyen dhe nuk caktuan datë. Dhe në përfundim të mbledhjes, nuk dhanë asnjë sqarim për media, përveçse spinuan lajme të rreme”.







