Ballina Sport Gazetari brazilian e la pa fjalë trajnerin – mund të bëhet më...

Gazetari brazilian e la pa fjalë trajnerin – mund të bëhet më i famshëm se Dua Lipa…

30
0

Shqipërinë Në rast se Kombëtarja shqiptare do të arrijë të kualifikohet në Kampionatin Botëror 2026, Sylvinho do të jetë i vetmi trajner brazilian që do të përfaqësojë vendin e tij në eventin më të madh të futbollit.

Një përgjegjësi e veçantë, për të cilën tekniku i kuqezinjve ka folur së fundmi në një intervistë për mediat braziliane.

“Drejtimi i një Kombëtareje është një përgjegjësi shumë e madhe, sepse përfaqëson gjithë kombin dhe gjithë vendin. Unë jam në Shqipëri prej tre vitesh dhe gjatë kësaj kohe kemi arritur rezultate shumë pozitive”, është shprehur Sylvinho, duke zbuluar se ka marrë edhe mesazhe të shumta nga tifozë brazilianë pas përfundimit të eliminatoreve.

Sipas tij, shumë prej tyre mbështesin Shqipërinë me dëshirën që një trajner brazilian të jetë pjesë e Botërorit. “Do të ishte diçka e jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.

Në intervistë, Sylvinho ka folur edhe për Shqipërinë, duke e prezantuar vendin dhe Kombëtaren në sytë e publikut brazilian. “Shqipëria është një vend shumë i sigurt dhe po zhvillohet me ritme të shpejta në çdo aspekt.

Qytetet janë të bukura dhe kuzhina është e shkëlqyer.

Jetoj dhe punoj i qetë në Tiranë, me mbështetjen e federatës dhe presidentit, i cili është shumë i pasionuar”, ka deklaruar trajneri i kuqezinjve.

Sa i përket ekipit kombëtar, Sylvinho ka theksuar se Shqipëria ka një grup lojtarësh të përzier, ku shumica aktivizohen jashtë vendit në kampionate të rëndësishme si Italia, Spanja dhe Anglia. “Jam i kënaqur me të gjithë dhe rezultatet e deritanishme kanë qenë shumë të mira”, ka nënvizuar ai.

Intervista ka pasur edhe nota humori, teksa gazetari brazilian ka bërë shaka duke i thënë se mund të bëhet më i famshëm se Dua Lipa nëse kualifikon Shqipërinë në Botëror. Sylvinho është përgjigjur me batutë: “Nuk e di nëse do të jem më i famshmi, por ndoshta mund të bëjmë një duet me Dua Lipën nëse kualifikohemi”.

Ndërkohë, Kombëtarja shqiptare përgatitet për ndeshjen e “play-off”-it kundër Polonisë, që do të luhet më 26 mars.

Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen në finale me fituesin e çiftit Suedi–Ukrainë.