Ballina Sport Interesimi i Sociedadit për Mottan mund t’i kursejë miliona Juventusit

Interesimi i Sociedadit për Mottan mund t’i kursejë miliona Juventusit

30
0

Me Thiago Mottan tani si një kandidat kryesor për të mbushur zbraztësinë te Real Sociedad, Juventus mund të gjejë shpejt lehtësim nga një barrë e konsiderueshme financiare, pasi largimi i mundshëm i tij jo vetëm që do t’i lejonte

“Bianconerëve” të kursenin miliona nga pagat e mbetura, por gjithashtu do të mbyllte një ngërç kontraktual të pakëndshëm që ka zgjatur që nga shkarkimi i tij.

Trajneri 42-vjeçar iu bashkua Juventusit në verën e 2024, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare, por qëndrimi i tij zgjati vetëm tetë muaj, pasi klubi vendosi ta shkarkojë në mars ndërsa ekipi po binte lirshëm.

Megjithatë, Motta dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të marrin pagat nga Juventus, pasi kontratat e tyre vlejnë deri në qershor 2027.

Kur Motta u shkarkua më parë këtë vit, klubi rezervoi 16.3 milionë euro për të mbuluar pagat bruto të mbetura të trajnerit dhe stafit të tij teknik.

Megjithëse ky shumë është shpenzuar pjesërisht, burimet besojnë se “Bianconerët” mund të kursenin rreth 8 milionë euro nëse Motta dhe ekipi i tij pranojnë të përfundojnë kontratat e tyre për t’u bashkuar me Sociedad në ditët e ardhshme.

Thiago Motta ishte trajner i Juventus për rreth nëntë muaj (nga qershori 2024 deri në mars 2025), duke regjistruar 42 ndeshje me 18 fitore, 16 barazime dhe tetë humbje, duke shënuar 65 gola dhe pësuar 46, me eliminime nga Liga e Kampionëve dhe Coppa Italia.

Nga ana e pagës, ai vazhdon të ketë kontratë deri në 2027 me rreth 5.5 milionë euro bruto në sezon, plus stafi.

Interesi i klubit bask do të mbyllë spekulimet për një punë të Mottas në Itali.

Sociedad nisi sezonin ngadalë, dhe humbja e së premtes ndaj Gironas ishte pika që e mbushi gotën për trajnerin 46-vjeçar, i cili u promovua vetëm nga ekipi B në korrik.

Sipas “Marca”, Real Sociedad po kërkon një trajner të huaj, me Mottan si një nga emrat kryesorë në listën e shkurtër, së bashku me Pellegrino Matarazzo.