Forcimi i lekut në raport me euron pritej të ulte kostot e importit dhe të sillte lehtësim për qytetarët. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, euro është zhvlerësuar rreth 2% gjatë vitit 2025, duke shkuar nga 98.23 lekë në fillim të janarit në 96.56 lekë më 19 dhjetor.
Megjithatë, ky dobësim i euros nuk po reflektohet te çmimet e produkteve bazë, të cilat vijojnë të jenë të larta.
“Pjesa e luhatjes e rritjes së çmimeve është abuzive, se sa është një çmim që e reflekton çmimi final i produktit. Kursi i këmbimit duhej të reflektohej e duhej të kishte çmime më të ulëta”, u shpeh Teuta Nunaj Kortoçi, eksperte ekonomie.
Situata bëhet më e ndjeshme në periudha festive dhe sezonale, ku rritja e kërkesës dhe oferta e kufizuar krijojnë terren për rritje çmimesh.
Produktet më të prekurat janë frutat, perimet, mishi, qumështi dhe djathërat.
“Efekt i festave, që gjithmonë është tendeca për t’u rritur, se rritet konsumi dhe serish ligjet e ekonomisë sonë, kur rritet konsumi duhet të ulet në këtë rast çmimi se ka kërkesë më të lartë”, shton ekspertja.
Sipas të dhënave të fundit, ndryshimi mujor i inflacionit te ushqimet ka shënuar rritje.
Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se deri më 15 janar ka nisur një proces të posaçëm monitorimi të çmimeve të mallrave të shportës, veçanërisht për periudhën e festave të fundvitit, për të garantuar që përfitimet nga kursi i këmbimit dhe tregu funksionojnë realisht për qytetarët.







