Ballina Ekonomia Nga 1 janari 2026, portal unik online punësimi që bashkon ofertat publike...

Nga 1 janari 2026, portal unik online punësimi që bashkon ofertat publike dhe private

34
0

Qeveria ka vendosur që të gjitha vendet e lira të punës në administratën publike të publikohen edhe në portalin online të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA). Me këtë vendim, Agjencia do të ketë përgjegjësi për publikimin në faqen e saj zyrtare të të gjitha vendeve të lira të punës, jo vetëm në sektorin privat, por edhe në atë publik.

Ky, ishte një proces që më parë realizohej përmes faqeve të institucioneve individuale ose përmes Departamentit të Administratës Publike. Këshilli i Ministrave, miratoi dhe rregullat e organizimit dhe funksionimit të AKPA-së.

Sipas vendimit, në bazë të ndryshimeve në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional” dhe ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive do të jetë institucioni përgjegjës për mbledhjen dhe menaxhimin e informacionit mbi vendet e lira të punës të shpallura nga punëdhënësit publikë dhe privatë.

Zbatimi i këtij vendimi i është ngarkuar Agjencisë, ndërsa vendimi hyn në fuqi pas publikimit në “Fletoren Zyrtare”. Duke nisur nga 1 janari, AKPA do të funksionojë si portali i vetëm unik ku do të publikohen të gjitha vendet e lira të punës në administratën publike.

Ky sistem nuk do të përfshijë vetëm shërbimin civil, por të gjitha strukturat dhe institucionet e administratës shtetërore.

“Ky hap do të rrisë transparencën dhe aksesin e barabartë për vendet e punës në administratë, duke e bërë aplikimin më të thjeshtë për të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi”- theksoi Ibrahimaj gjatë një takimi me të rinj të punësuar nëpërmjet programeve për nxitjen e punësimit.