Nga Erion Delvina
Lulzim Basha, ai që bëni ju memet, disi përpara dhe jashtë kohe, pati kuptuar me zgjuarësi që do të duhej të ngulte flamurin e kolonizimit verbal te “Republika e Re”, sepse, edhe këtë meritë ia njoh, pati kuptuar që Republika e Re ishte zhvillim i pashmangshëm dhe i patjetërsueshëm. Kur ngjarja të vinte, çfarë me fort të ngjarë ai llogariste që do të vinte më shpejt nga sa ndodhi, kur të thuhej “Republikë e Re” ai mëtonte që gjithkush të mendonte emrin “Lulzim Basha”. Mbase ai ka qenë edhe më megaloman, ndofta ëndërronte ta quanin Era Basha, Republika Bashiste etj. Këtë nuk e di sepse nuk kam qenë ndonjëherë i afërt me të. Nga pikëpamja strategjike nuk ka të meta, nuhatja nuk i shahet, slogani “Republikë e Re” ta ndërmend Bashën pashmangshëm, edhe sot 10 vjet më pas; por ky skenar çaloi në praktikë dhe në gjykimin e faktorëve të pavarur nga gjykuesi: koha.
Çfarë po ndodh sot në Shqipëri?
Ky tension, këto nerva, këto zhvillime të vrullshme, janë zhurmat dhe pluhuri i mureve të Republikës së vjetër. Po bie ngrehina. Po fundoset. Diku po bie në vete. Diku po bie se ngrehina përballë i ra përsipër. Diku tjetër ka bërë vitet. Diku po rrëshqet dheu që e mbante.
Republika është zyrtarisht e pabanueshme. Njerëzit nuk po jetojnë më në këtë republikë, ata thjesht po strehohen në të. Këtu nuk jetohet, këtu vetëm operohet. Operacionet kryesore janë dy: mbijetesë dhe rindërtim. Shpejt këtë republikë do ta kenë vetëm vend hijeje dhe një zëvendësçadër shiu, pak a shumë si kasollja e ndërtimtarëve në kantier.
Ja ta mendojmë një çast: ekuilibri i artë gjendet.
Meta i pafajshëm dhe kthehet në politikë. Berisha i pafajshëm dhe kthehet në politikë. Veliaj i pafajshëm dhe kthehet në politikë. Balluku e pafajshme dhe kthehet në politikë. Rama i pahetueshëm dhe përqendrohet në pazaret politike. Taulant Ballës nuk i shkon fletëthirrja dhe vijon të kontrollojë në hije burimet njerëzore të shërbimit publik. Arben Ahmetaj kthehet me bujë nga emigrimi dhe fillon të ndihmojë politikën me përvojën e tij si azilant.
Monika Kryemadhi vjen në vete, mbledh mendtë e kokës dhe i rikthehet politikës. Rikthehet Monika bashkë me gjerdanin e talenteve, që ia ka shitur për diamande politikës vendase, ata që janë në dosjet e SPAK-ut kundër burrit të vetë.
Paqe!
Gjithçka në ekuilibër.
Kush do të donte të vijonte të jetonte në këtë republikë, përveç këtyre emrave dhe idiotëve që këta emra kanë shpërblyer me ofiqe, që u peshojnë më shumë se sa ëndrrat e bëra bashkë me aftësitë dhe vetëinvestimet?
Askush. Askush tjetër.
“Malet janë male”, shkruante një tule nga anët e mia. Hallet janë hale. Haletë janë halé. Asgjë më nuk është si më parë. Po bie. Diku-diku ka rënë. Përditë po fundoset një lagje e vjetër.
Kështu që, e reja do të ngrihet mbi të vjetrën dhe kjo është rrjedhë e pashmangshme.
Njeriu nuk i reziston dot rindërtimit.
Kishat u ngritën mbi faltoret politesite. Ato u ndërtuan me gurët dhe teknikat e faltoreve politeiste. Njeriu nuk i shpëton dot kësaj.
Të gjitha ulërimat që po Ju kapin veshët janë instrumente të negociatës dhe përqindjeve te ngrehina e re: a do të jem edhe unë? A do të më lesh? Sa përqind? Po filani? Jo? Pse? Po çfarë të bëjë? Të vetëvritet. Të vritet. Të ikë. Si në Italinë e 1992-1994. Të dalë nga loja. Të hyjë me një lëkurë keci.
Me çfarë do të ndërtojmë? Me tulla të reja godinë të re? Apo godinë të re me tulla të vjetra? Sa fitoj nëse t’ i gjej ca kështu ca ashtu? Sa është pjesa ime? Këtë thonë të gjitha ulërimat: në media, biznes, drejtësi e veçanërisht politikë. Pse nuk rindërton të njëjtën, por mos e quaj faltore pagane, por kishë?!
Ky proces, politikisht, ka ndodhur më parë në Itali, përpikërisht: drejtësia e re rrëzoi Republikën e vjetër, një socialist u bë sebepi i rrëzimit të skenës dhe teatrit të pasluftës së dytë. Ky socialist mbiemrin e kishte Kieza dhe asnjë kishë nuk mund t’ia merrte përsipër zullumet, biznesmenë, njerëz të medias, politikanë peshërëndë të partive tradicionale, majtas e djathtas, shkuan drejt rrënimit, politik, ekonomik, jetësor.
Vetëm se kujdes! Nuk ishte parajsë ajo që pasoi!
Republika e Dytë e Italisë, kujt i ka studiuar shkencat dhe historinë politike, i ka dhënë përplot mësime. Sepse forca dhe vullnete të tëra do të duan të ndërtojnë ngrehina të reja me tulla të vjetra dhe e keqja është se, në gjetshin mbështetje, do t’ia dalin. Është krejt e mundur që ngrehina e re, të ndërtohet me kollona të reja, por me tulla të vjetra. Të rindërtohet e njëjta me emër tjetër. Presioni shoqëror do ta përcaktojë atë. Ky presion do të duhet të rrahë mbi cilësinë e punimeve rindërtuese, mbi materialet ndërtimore dhe arkitekturën e re; jo te lopataxhinjtë, që, sipas mësimeve të Republikës së Dytë Italiane, faktorizohen, sepse politika hiperindividualizohet pas vetëfundosjeve të tilla.
Mirëpo pikërisht sepse hiperindividualizohet, e dyta kërkon të tretën sepse nuk ia del: lind e dështuar. Lopataxhiu mbahet e shitet për inxhinier ndërtimi, në terma të politikës.
Mësimi që vjen nga e Dyta italiane është ky: në këtë fazë duhet kujdes nga lopataxhinjtë e midisshëm të republikave.
Ata që sot po kërkojnë meritën e rindërtuesit me lopatë në dorë, e mësuan atë zanat duke mirëmbajtur themelet e sistemit të vjetër. Pse ishin pranë themeleve duke u kujdesur për to, pa i ndjenë kërcitjet dhe u ngulën përpara godinave të kryeministrisë dhe në sheshe me një vullnet në dukje më të madh se të tjerët.
Ndaj kujdes lopataxhinjtë, në këtë fazë që jemi. Nuk na duhen heronj, na duhet republike e re ku banohet, jetohet.







