Ballina Ekonomia Shteti do t’ua blejë me 10 lekë/kWh energjinë prodhuesve edhe në 2026

Shteti do t’ua blejë me 10 lekë/kWh energjinë prodhuesve edhe në 2026

34
0

Energjia elektrike e prodhuar nga prodhuesit me përparësi do të blihet nga shteti me çmimin 10 lekë /kWh edhe gjatë vitit 2026. Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar vendimin përkatës, duke e lënë të pandryshuar vlerën e aplikuar edhe gjatë 2 viteve të fundit.

Sipas ERE-s, çmimi është përcaktuar në bazë të metodologjisë në fuqi dhe përfaqëson nivelin maksimal që mund të aplikohet për këta prodhues, në përputhje me legjislacionin aktual. Në fakt, nga të dhënat paraprake të publikuara nga Bursa Hungareze e Energjisë (HUPX) dhe bazuar në formulën e miratuar, çmimi i llogaritur rezulton 12.53 lekë/kWh.

Ndërkohë, nëse merren si referencë edhe çmimet mesatare kleruese të bursës shqiptare të energjisë ALPEX, vlera që do të duhej të paguante shteti për prodhuesit me përparësi arrin në 13.99 lekë/kWh. Megjithatë, në fuqi është një vendim i Këshillit të Ministrave, i cili përcakton se çmimi i blerjes nuk mund të kalojë tavanin prej 10 lekë/kWh. Ky tavan u rrit në muajin shkurt të vitit 2024, pasi deri në atë periudhë ishte 8.5 lekë për kilovat orë.

Më herët anëtarët e bordit të Entit Rregullator kanë theksuar se kjo vlerë garanton qëndrueshmërinë ekonomike të prodhuesve ekzistues me përparësi.

Në kategorinë e prodhuesve me përparësi përfshihen centralet e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike me fuqi të instaluar deri në 15 MW. Vendimi i ERE-s bazohet në çmimet e tregjeve të organizuara të energjisë, si dhe në bonusin e parashikuar për nxitjen e burimeve të rinovueshme, por në çdo rast respekton kufirin maksimal të përcaktuar nga qeveria.