Kantautori i njohur britanik Ed Sheeran është shfaqur pa bluzë në kopertinën më të fundit të revistës Men’s Health UK, ku ka folur hapur për transformimin e tij fizik dhe ndryshimet e mëdha në stilin e jetesës. Artisti 34-vjeçar ka humbur 14 kilogramë gjatë pesë viteve të fundit, një proces që lidhet ngushtë me atësinë dhe vendimin për të jetuar më shëndetshëm.
Sheeran tregoi se pika e kthesës erdhi pak pas lindjes së vajzës së tij të parë, Lyra, e cila sot është pesë vjeçe. Ai rrëfeu se, vetëm dy javë pas lindjes së saj, kishte pirë alkool me një mik dhe ishte ndjerë keq kur u detyrua të zgjohej natën për vajzën. “Mendova se ndoshta nuk duhet të pi nëse do të ndihem kaq keq”, u shpreh ai, duke shtuar se që prej asaj kohe ka ndaluar së piri.
Artisti, i cili ka edhe vajzën trevjeçare Jupiter me bashkëshorten Cherry Seaborn, theksoi se dëshira për të qenë një baba i përgjegjshëm ishte motivimi kryesor për ndryshimin. Ai nisi të ushtrohej gjatë pandemisë, fillimisht duke ecur në pistë vrapimi, ndërsa më pas u përfshi në pilates, stërvitje me pesha dhe vrapim, nën drejtimin e trajneres Ali Thomas.
Në vend që të dalë në pub pas koncerteve, Sheeran tani kthehet në dhomën e hotelit për darkë, masazh dhe pushim. Sipas tij, kjo rutinë jo vetëm e mban në formë, por e ndihmon edhe të ruajë zërin, energjinë dhe shëndetin e përgjithshëm.







