Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami akuzoi qeverinë se ka lënë në harresë mijëra familje shqiptare të cilët, sipas saj, po përballen me varfëri dhe pasiguri ekstreme. “Në shumë shtëpi mungon buka e tryeza e festës, ndërsa fermerët, ata që duhet të ushqenin vendin, janë lënë në faliment dhe harresë. Ky realitet ka një përgjegjës të drejtpërdrejtë, qeveria aktuale” tha ajo në një deklaratë për shtyp.
Duke sjellë në kujtesë pezullimin e fondeve të IPARD, Bajrami tha se miliona euro të destinuara për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë “nuk shkuan kurrë tek ata që punojnë tokën, por u zhdukën në skema abuzimi, projekte fiktive dhe rrjete klienteliste të pushtetit”.
Deklarata e plotë e Kryetares së Komisionit të Bujqësisë, Znj. Silvana Bajrami.
“Përshëndetje!
Në prag të festave të fundvitit, mijëra familje shqiptare po përballen me varfëri dhe pasiguri ekstreme. Në shumë shtëpi mungon buka e tryeza e festës, ndërsa fermerët, ata që duhet të ushqenin vendin, janë lënë në faliment dhe harresë.Ky realitet ka një përgjegjës të drejtpërdrejtë, qeveria aktuale.
Sot, 112 milionë euro fonde të IPARD janë të pezulluara, sepse ende nuk është zbardhur se ku kanë përfunduar 33 milionë eurot e para. Këto para, të destinuara për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë, nuk shkuan kurrë tek ata që punojnë tokën, por u zhdukën në skema abuzimi, projekte fiktive dhe rrjete klienteliste të pushtetit.
Për shkak të kësaj vjedhjeje, Bashkimi Europian ka ndalur fondet.Jo sepse fermerët nuk i meritojnë, por sepse qeveria i ka vjedhur dhe nuk jep llogari.
Ndërsa familjet shqiptare hyjnë në Vitin e Ri me tavolina bosh, qeveria vazhdon luksin dhe propagandën, duke fshehur një nga aferat më të rënda të korrupsionit në bujqësi.
Ky është një skandal kombëtar dhe një turp ndërkombëtar. Si Kryetare e Komisionit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deklaroj se kjo çështje nuk do të mbyllet me heshtje.
Do të kërkojmë zbardhjen e menjëhershme të fatit të 33 milionë eurove, transparencë të plotë për çdo euro të IPARD, publikimin e përfituesve
dhe përgjegjësi penale e politike për çdo zyrtar të përfshirë. SPAK, KLSH dhe institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë pa frikë.
Sepse çdo ditë heshtjeje është bashkëpunim me korrupsionin.
Ky nuk është vetëm një dështim ekonomik. Është një dështim moral dhe kriminal.Një qeveri që vjedh ndihmën për fermerët është një qeveri pa ndërgjegje dhe pa lidhje me popullin.
Partia e Lirisë do të qëndrojë në krah të fermerëve dhe familjeve të mashtruara. Ne nuk do të lejojmë që fondet europiane të vidhen, ndërsa shqiptarët jetojnë në varfëri.
Koha e mashtrimeve ka mbaruar. Koha e drejtësisë dhe e llogaridhënies ka ardhur. Shqipëria meriton më shumë.
Fermerët meritojnë mbështetje, investim. Familjet shqiptare meritojnë dinjitet, jo varfëri.
Faleminderit!”







