Një muze në Britaninë e Madhe ka hapur një galeri me mijëra objekte afrikane për të cilat nuk dihet pothuajse asgjë, në një përpjekje për të ndezur debatin rreth mënyrës se si u fituan gjatë periudhës koloniale dhe kthimit të tyre.
Muzeu i Mançesterit në Anglinë veriperëndimore mban më shumë se 40.000 objekte nga Afrika të fituara përmes tregtisë ose plaçkitjes gjatë perandorisë britanike, raporton KosovaPress.
“Disa prej tyre u dhanë, disa u vodhën, disa u morën me forcë gjatë pushtimit”, tha Sylvia Mgbeahurike e Komunitetit Igbo të Mançesterit (ICM), një bashkëkuratore e ekspozitës. “Është e rëndësishme që të fillojmë t’i mbledhim ato përsëri”, shtoi ajo.
Galeria Africa Hub po pyet nëse objektet duhet të kthehen në komunitetet nga të cilat kanë ardhur apo nëse ato mund të vlerësohen në mënyra të reja në Mançester. Muzeu po u kërkon anëtarëve të publikut ta kontaktojnë nëse njohin ndonjë nga objektet, raporton KosovaPress.
Ka thirrje në rritje që objektet e plaçkitura dhe mbetjet njerëzore të mbajtura në institucionet perëndimore të kthehen në vendet e tyre të origjinës, si pjesë e një lëvizjeje të gjatë që kërkon dëmshpërblime për kolonializmin dhe skllavërinë.
Objektet, të tilla si instrumentet muzikore, karriget dhe figurat e gdhendura, kanë hyrë në koleksionin e muzeut përmes donacioneve, blerjeve ose transferimeve midis institucioneve, dhe shpesh nuk dihej asnjë informacion rreth tyre përveç donatorit ose institucionit nga i cili vinin.
“Të dhënat e muzeut rrallë na tregojnë se kush i bëri këto objekte, kur u krijuan ose cilët ishin emrat e tyre origjinalë. Ato nuk na tregojnë se kush i zotëronte, si u përdorën ose pse ishin të rëndësishme për njerëzit”, tha muzeu.
Ka pasur disa përpjekje në Evropë dhe gjetkë për të kthyer objektet në vendet e tyre të origjinës, por shumë objekte dhe mbetje njerëzore nga Afrika dhe rajone të tjera mbeten në institucione të ndryshme.







