Mbajtja artificialisht e ulët e çmimeve të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset po rezulton një barrë e kushtueshme dhe joefikase për ekonominë shqiptare, vlerëson raporti i OECD “Energy Prices and Subsidies in the Western Balkans”. Sipas analizës, edhe pse Shqipëria ka kosto relativisht të ulëta margjinale prodhimi, sektori elektroenergjetik ka pasur nevojë për mbështetje të vazhdueshme financiare nga shteti, përmes mekanizmave të ndryshëm, për të mbajtur çmimet e diktuara nga rregullimi dhe politikat sektoriale.
Në kuadër të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP), Shqipëria synon një transformim progresiv drejt një tregu energjie “konkurrues, të orientuar drejt konsumatorit, fleksibël dhe jodiskriminues”, me çmime furnizimi të bazuara në treg. OECD thekson se ky proces kërkon sekuencim të kujdesshëm dhe mund të diferencojë mes konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë.
Raporti evidenton se Shqipëria ka avancuar në liberalizimin e konsumatorëve biznes, megjithëse me vonesa. Të gjithë konsumatorët kanë të drejtë të zgjedhin furnizuesin e energjisë. Klientët në tension të lartë dhe ata të lidhur në 35 kV furnizohen në tregun e lirë që prej vitit 2018. Nga janari 2022, konsumatorët në tension të mesëm të lidhur në 6, 10 dhe 20 kV kaluan nën Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (SLR), në vend të Furnizuesit të Shërbimit Universal (USS). Megjithatë, gjatë krizës energjetike, SLR ofroi energji me çmime shumë nën nivelin e tregut.
Nga janari 2024, konsumatorët e lidhur në 20 kV (me përjashtim të ujësjellësve) furnizohen në tregun e lirë. Konsumatorët në 10 kV kalojnë në tregun e hapur nga janari 2025, ndërsa parashikohet që ata në 6 kV të liberalizohen në vitin 2026.
OECD rekomandon që Shqipëria të planifikojë liberalizimin e plotë të konsumatorëve biznes brenda një afati realist. Sipas raportit, aksesi i përgjithshëm në energji të lirë për të gjithë bizneset e lidhura në 0.4 kV – pavarësisht madhësisë, vulnerabilitetit apo rëndësisë sociale, pengon zhvillimin e tregjeve lokale të furnizimit me pakicë dhe dobëson sinjalet e çmimeve për eficiencë energjetike. Megjithëse simulimet tregojnë se rritjet e çmimeve për bizneset mund të kenë ndikim negativ afatshkurtër në ekonomi, OECD thekson se procesi duhet të shoqërohet me masa për rritjen e konkurrencës dhe mbështetje tranzitore për bizneset dhe sektorin energjetik.







