Ballina Europë Gjermania nis “gjyqet” për koronavirusin, merret në pyetje ish-Ministri i Shëndetësisë

Gjermania nis “gjyqet” për koronavirusin, merret në pyetje ish-Ministri i Shëndetësisë

27
0

Një komision hetimor i ngritur në Gjermani lidhur me pandeminë e koronavirusit po merr në pyetje ekspertë, por edhe figura kyçe nga politika dhe shkenca.

Së fundi janë thirrur si dëshmitarë edhe vetë ish ministri i shëndetësisë Jens Spahn dhe virologu Christian Drosten.

Në seancën dëgjimore publike të mbajtur pak përpara Krishtlindjeve, u diskutua roli i Spahn në fillim të pandemisë së vitit 2020, kur mori frerët e ministrisë se Shëndetësisë në qeverinë e koleges së tij të partisë CDU, Angela Merkel.

Në qendër të kritikave, edhe gjashtë vjet më vonë, ishte prokurimi i maskave mbrojtëse, të cilat besohet se janë blerë me çmime të fryra. Një punonjës i Zyrës Federale të Auditimit tha se 5.8 miliardë maska u blenë me rreth një euro secila. Më shumë se gjysma duhej të shkatërroheshin. “Ne kemi identifikuar një mbi prokurim masiv,” tha një ekspert nga institucioni shtetëror që monitoron përdorimin racional të parave të taksapaguesve.

Spahn, megjithatë, i justifikoi vendimet e tij duke insistuar se qëllimi kryesor kishte qenë parandalimi i kolapsit të sistemit të kujdesit shëndetësor. Duke folur për furnizimin me maska, ai theksoi: “E gjithë bota donte të njëjtën gjë në të njëjtën kohë,” e nga këtu sipas tij, lindi i gjithë nxitimi. “Ishte çështje jete a vdekjeje”, shtoi ish ministri. Virologu Drosten u pyet në lidhje me përhapjen dramatike të sëmundjes së frymëmarrjes: “Rreziku i pandemisë rriedhte nga transmetimi jashtëzakonisht dinamik i virusit”, tha eksperti nga klinika Charité e Berlinit.

Ai insistoi se në një krizë të paparashikueshme si korona, është e pamundur të veprohej sipas një modeli, teksa mbrojti vendimet e shumë diskutuara të asaj kohe për të mbyllur shkollat.