Pep Guardiola u ka bërë të qartë lojtarëve të Manchester Cityt se pushimet e Krishtlindjeve nuk janë justifikim për të humbur formën. Pas tre ditësh pushim, trajneri spanjoll tha se do të kontrollojë peshën e çdo lojtari dhe se ata që kthehen me kilogramë shtesë nuk do të luajnë ndaj Nottingham Forest.
“Ata kthehen më 25 dhe unë do të jem atje duke kontrolluar se sa kilogramë shtojnë,” deklaroi Guardiola, duke shtuar: “Imagjinoni një lojtar perfekt që vjen me tre kilogramë më shumë. Ai do të qëndrojë në Manchester. Nuk udhëton.”
Guardiola, i njohur për disiplinën strikte, theksoi se zgjedhja e ekipit për ndeshjen e 27 dhjetorit do të varet nga gjendja fizike. “Ata mund të hanë, por unë dua t’i kontrolloj. Duhet të bëj një përzgjedhje për ndeshjen,” u shpreh ai, duke rikujtuar se standardet e kondicionimit janë të panegociueshme.
Megjithatë, trajneri pranoi se pushimi mendor është po aq i rëndësishëm. “Javën tjetër kam pushime, do të jem me familjen dhe me shampanjë,” tha Guardiola, duke shtuar se kalendari i ngjeshur kërkon shkëputje. City vjen nga fitorja 3-0 ndaj West Ham dhe është dy pikë pas Arsenalit kryesues pas 17 ndeshjeve.







