Ballina Aktualitet “Më detyruan të flas me gruan për të qetësuar familjen”, dëshmia e...

“Më detyruan të flas me gruan për të qetësuar familjen”, dëshmia e biznesmenit Meçe: Më kërcënuan se nëse i denoncoja do të më vrisnin familjarët

73
0

VNA sjellë dëshminë e radhës të biznesmenit Gerond Meçe i cili u rrëmbye me urdhër të Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit për ta detyruar që të tërhiqej nga ankimimet për tenderat e AKSHI-t. Meçe tregon se u detyrua të bashkëpunonte me rrëmbyesit, pasi përdorën kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tij.

Sipas dëshmisë së tij, personat me maska e lejuan të komunikonte herë pas here me familjen. Ai foli me gruan e tij duke i thënë se ishte mirë dhe do ta kontaktonte më vonë, dhe me vëllain, të cilit i sugjeroi të kontaktonte administratorin e kompanisë.

Ai shprehet se grupi komunikoi me administratorin e kompanisë përmes telefonit të tij dhe aplikacioneve të mesazheve, me qëllim të siguroheshin që kompania të tërhiqej nga procedurat.

Biznesmeni thotë se e liruan rreth orës 16:20, pas më shumë se një ore mbajtjeje në automjet në një zonë të izoluar pranë fshatit Gracen. Meçes ia hoqën prangat duke e lënë në rrugën nacionale Elbasan-Tiranë dhe i kthyen vetëm disa sende personale. Ndërsa çanta me laptopin, çanta dore dhe telefonin i premtuan se do i kthenin te recepsioni i qendrës së biznesit ku ka zyrën.

Ai shprehet se në momentin që po e linin të lirë, shoferi i automjetit i thotë “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti”.

Meçe u kthye në Tiranë, ku informohet se familja kishte kuptuar rrëmbimin e tij dhe po prisnin orën 18:00 për të bërë denoncim, pasi kishin shkëputur kontaktet që nga ora 15:00.

Pjesë nga dëshmia

Me datë 12 gusht

Personi i tretë në një moment i thotë që “Po të të shoh në Elbasan unë do të të flas, nuk e di për ty unë do të të flas”. Për të arritur qëllimin që kishin, pra tërheqjen e kompanisë nga procedurat, grupi i rrëmbimit ka komunikuar me administratorin me telefonin e tij nëpërmjet aplikacionit ëhatsapp, si dhe duke ia dhënë edhe Gerondit telefonin here pas here që të komunikonte vetë me administratorin, për shkak se nuk po realizohej qëllimi i tyre për tërheqje. Gjatë kësaj kohe e kanë lejuar të flasë me gruan të cilës i ka thënë që “zemër jam mirë, kam ca punë, do të të marr më vonë”. Ndërkohë që telefoni i tij binte pa pushim, afrohet personi numër një dhe i thotë “Fol dhe qetësoje pak këtë personin sepse vazhdon dhe i bie shumë telefonit”. Ka parë që ishte numri i vëllait i tij dhe ka folur me të. Vëllai i thotë “Ku je, jam shumë i shqetësuar”. Deklaruesi i thotë “Nuk ke pse të shqetësohesh por fol me administratorin, Mimin”. Gjatë kohës që ka qëndruar me personin dy dhe personin tre ka bërë biseda të ndryshme dhe ka mësuar se personi i tretë sapo ishte bërë baba me vajzë ndërkohë që kishin dialekt të theksuar Elbasani, gjë të cilën e kupton shumë mirë pasi është vetë nga Elbasani, pavarësisht faktit që ato mundoheshin ta fshihnin si fakt. Gjithashtu të njëjtën gjë ka konstatuar nga e folura edhe për personin një, që ishte nga Elbasani. Ndërkohë që po prisnim në automjet me personin dy dhe personin tre ata e pyesin “Sa zgjat kjo procedure?”. Gjithashtu e pyesin edhe personin një “Çfarë po presim?”. Personi një u thotë që “s’kemi konfirmim”. Përballë ka orën e makinës dhe shënon në këtë moment rreth 15:10. Në një moment tjetër personi i tretë shkon drejt bagazhit të makinës, aty afrohet personi nje i cili i thotë që “Në polici nuk ka denoncim”.

Rreth ores 16:20 futen në makinë të gjithë në pozicionet siç ishin në fillim dhe marrin rrugën për t’u nisur drejt Elbasanit, në rrugën e vjetër. Këtu pasi i thotë shoferi, i kanë hequr prangat, dhe shoferi i thotë “Po hap sytë, po shikon ku je”. Deklaruesi i thotë “E di shumë mirë se ku jam, se jam nga Elbasani dhe këtu jemi në Gracen”. Gjatë rrugës kanë përdorur sirenën e policisë për të parakaluar. Makina futet në drejtim të fshatit Shijon, ndërkohë që personi i parë është duke folur me telefon me dikë i cili i tha që të ndryshojë itinerar e ta kthejnë në rrugën nacionale. Makina u kthye dhe e lanë rreth 200 metra afër rrethrrotullimit të parë, që futesh për në autostradën Elbasan-Tiranë. Në momentin që po e linin, shoferi i thotë “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti”. I japin mbajtësen e kartave të kreditit dhe syzet e diellit dhe i premtuan se do i sjellin gjërat e tjera te recepsioni i qendrës së biznesit ku ka zyrën, pra çantën e shpinës me laptop Lenovo, çantën e dorës dhe telefonin. Sqaron se këto sende nuk ia kanë sjellë akoma. Ka zbritur dhe ka dalë në rrugë nacionale, është drejtuar drejt rrethrrotullimit tjetër të Bradasheshit, ku ndodhet karburanti. Rastesisht, duke pritur për makina të rastit apo autobus, ka kaluar një makinë e zyrës së tij me shofer inxhinierin Jorgis Sollaku, i cili kishte qenë për punë në Berat. Nuk i ka treguar asgjë, por sjellë në Tiranë deri te Toptani, ku ka shkuar në zyrën e tij. Aty ka marrë vesh që familja kishte kuptuar që ai mund të ishte rrëmbyer dhe po prisnin orën 18:00 për të bërë denoncim, pasi kishin shkëputur kontaktet që nga ora 15:00.

Konkretisht, babai i tij ka shkuar në shtëpi dhe i ka thënë gruas dhe nënës “Më duket që Gerin e ka marrë policia”. Gruaja ka filluar dhe ka tentuar që ta marrë në telefon. Pastaj babai ka njoftuar vëllain, i cili ka shkuar dhe ka parë pamjet filmike të ngjarjes, të cilat i ka marrë në USB dhe ka identifikuar targen e makinës. Me pas vëllai ka shkuar në të gjitha komisariatet e policisë për të pyetur nëse ishte nuk ka marrë asnjë informacion ka dyshuar në rrëmbimin e Gerondit, duke i rënë telefonit të tij pa shoqëruar. Ka shkuar edhe në SPAK për të pyetur për shoqërimin apo ndalimin e tij, dhe për shkak se

Eshtë kthyer në zyrë dhe ka mësuar se ishte bërë tërheqje për më shumë procedura se ato që i tregoi në tabelë Excel grupi që e mori në makinë. Administratori Shkëlqim Kërluku ka hartuar dokumentet e tërheqjes dhe ka shkuar t’i çojë dorazi në KPP dhe në AKSHI, por nuk janë pranuar nga KPP sepse nuk është procedurë. Për këtë arsye është detyruar në vijim që të bëjë tërheqje nga sistemi e cila që ka përfunduar rreth orës 15:00 të datës 12.08.2025. Ka dyshime se grupi që e mori peng, e liroi rreth orës 16:20 të datës 12.08.2025 pasi mori konfirmim për tërheqjet e depozituara nga kompania në sistem të KPP. Këtë dyshim e lidh me faktin se nga eksperienca e tij në këtë fushë, ata duhet të kenë një autoritet apo lidhje brenda KPP i cili ka aftësinë dhe kompetencën për ta verifikuar. Dyshon se ky person quhet Kreshnik Tërnova, me detyrë anëtar i KPP. Këtë dyshim e lidh me faktin se Kreshnik Tërnova ka lidhje me shtetasin Ermal Beqiri dhe janë parë bashkë te restorant “Markata e Peshkut”, te Pazari i Ri. Ka shumë procedura që dhe kur KPP i ka dhënë të drejtë, anëtari i KPP Kreshnik Ternova ka qenë kundër në minorancë. Thekson dhe një rast të një procedure lidhur me mirëmbajtjen e sistemit të kamerave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku ky anëtar në mbledhjen ballafaquese midis KPP dhe kompanisë ankimuese, i është drejtuar Autoritetit Prokurues që ta klasifikojë si tender i klasifikuar, gjë e cila ishte drejtpërdrejte me qëllim për të nxjerrë jashtë loje kompaninë e tyre.

Shton se të nesërmen e rrëmbimit shoqëria “ABS” ka bërë kërkesë për pezullimin e “njoftimit të tërheqjes” pranë KPP dhe AKSHI me argumentimin se janë hakëruar një ditë më parë. Pavarësisht se kanë kërkuar pezullimin e “njoftimit të tërheqjes”, KPP në kundërshtim me ligjin ka marrë vendim datë 13 gusht 2025,. per mospranimin e pezullimit “të njoftimit të tërheqjes”, pavarësisht se nuk ka pasur kohë që ta fuste në rend dite, pra ta përgatisë 24 orë përpara. Më pas kompanisë i ka ardhur njoftimi, ku firma elektronike është bërë në datë 15 gusht dhe jo në datë 13 gusht, si dhe në bazë të ligjit KPP vihet në lëvizje me kërkesë për tërheqje dhe jo me njoftim për tërheqje, si në rastin e tyre. Çdo procedurë e tij e ankimuar në KPP, zgjat më shumë se dy muaj, dhe mendon se bëhet qëllimisht pasi asnjë procedurë nga aplikantët e tjerë nuk zgjat kaq shume.

Dyshon se personi që ka organizuar rrëmbimin është shtetasi Ermal Beqiri. Arsyeja pse e thotë me bindje është sepse pas çdo procedure të tillë qendron nje nga kompanitë e tij ose kompani që janë të lidhura me të.