Ballina Opinion Atreiu, Mikele Plaçido dhe heroizmi pa ide

Atreiu, Mikele Plaçido dhe heroizmi pa ide

31
0

Nga Ilir Yzeiri

Atreiu është një personazh i romanit « La storia infinita » ( Historia e pafund) e Majkëll Ende. Ky roman dhe personazhi i tij ishin moda dhe frymëzimi i të rinjve sidomos në vitet ’80 e më pas. Ka shumë interpretime të mundshme të këtij romani, i cili përqendrohet në tema të rëndësishme si fantazia, kujtesa dhe ëndrrat. Vetë Ende nuk është përpjekur kurrë të propozojë një interpretim zyrtar, duke besuar se ato që dalin në mendjet e secilit prej lexuesve të tij janë po aq të vlefshme. Sigurisht, një karakteristikë që i ka tërhequr dashamirësit e librave drejt kësaj historie, për më shumë se dyzet vjet, është një nga metaforat e saj më të dukshme, e cila i sheh librat si një arratisje nga realiteti dhe një mënyrë për të përjetuar aventura të pabesueshme në mendje. Pikërisht këtë personazh kanë zgjedhur të rinjtë e Aleancës Nacionale në manifestimin politik që mbahet çdo vit qysh nga 1998 në Romë dhe që njihet si takimet me Atreiun.

Këtë radhë më bëri pështypje pjesëmarrja e Mikele Placçidos atje. Nëse të tjerë pjesëmarrës u parodizuan nga emisionet satirike italiane, të cilët, siç thoshin disa prej tyre, shkuan atje për të siguruar « bukën e gojës »,  e për t’i rënë në sy kryeministres, veçanërisht personazhe nga bota e spektaklit apo e RAI-t, për Mikele Plaçidon nuk u tha një gjë e tillë dhe ai vetë, në këtë manifestim tregoi një histori tjetër. Herën e parë e kam dëgjuar Xhorxhia Melonin dhe partinë e saj, kur ajo fitoi 3.5 %, tha ai. U bëra kurioz dhe pastaj në zjgedhjet e tjera ajo fitoi 7.8%. Atë ditë ishim në një drekë në shtëpinë time me shumë vetë dhe unë sapo dëgjova këtë rezultat thashë : Këtej e tutje do të votoj për këtë vajzë sepse ka arritur vetë të rritet e të bëhet e besueshme për mua. Një miku im u ngrit e më ulëriti : « Fashist ! Fashist ! Fashist !… » Unë qesha dhe i thashë se nuk më bën përshtypje kjo që thua ti e përfundoi rrëfimin Plaçido.

Ndërsa mua më bën përshtypje kjo që ndodh te ne. Krijohen parti të reja dhe drejtuesit e tyre, menjëherë duan të paraqiten si Mesia, si shpëtimtarë. Mirëpo nëse i shohim gjërat në këtë vështrim, ato nuk kanë një model për të na treguar si Atreiu, por janë bërë ca zëdhënës të neveritshëm të narrativës së Berishës dhe shfaqen në publik si prokurorët e gjyqeve speciale dhe e dyta nuk kanë durim të punojnë pa u ndier në të gjithë Shqipërinë që nga 60 mijë të bëhen 120 mijë e më pas edhe më shumë. Në anën tjetër, opozita tradicionale e ka shpallur me kohë se qëllimi i saj nuk është ndërrimi i pushtetit, por ruajtja e Sali Berishës.

Kjo që po ndodh me partitë e vogla dhe me opozitën në tërësi është ajo që quhet heroizmi pa ide. Ato formacione politike që vrasin shpresën dhe nuk ngjallin optimizëm u ngjajnë për fat të keq grupeve radikale ektremistë të cilat e mbështesin aksionin e tyre vetëm lufta. Në rastin tonë te lufta me fjalë, duke e ndotur kështu ambientin dhe në raste të tjera edhe në luftëra me armë siç ndodh me ISIS apo ndonjë organizatë tjetër terroriste. Askujt prej këtyre opozitarëve tanë që duan pushtetin me çdo kusht nuk ju bën përshtypje se Perëndimi tani po bëhet gati të festojë Krishtlindjet dhe pastaj Vitin e Ri. Vetëm në Tiranë ndodh që para kryeministrisë 200 veta, që thonë se janë opozita e këtij vendi, hedhin molotovë dhe gjithë Tirana e Shqipëria vrapon në markete e në koncerte për të pritur siç duhet këto festa.