Platforma e‑Albania vijon të mos jetë funksionale edhe sot, pas problemeve të përsëritura të ditëve të fundit, duke shkaktuar bllokim të një sërë shërbimesh thelbësore për bizneset dhe qytetarët. Mosfunksionimi i njëkohshëm ose periodik i sistemeve kryesore digjitale po kthehet në një problem për marrëdhënien mes sektorit privat dhe administratës publike.
Në këtë kontekst, Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka reaguar publikisht, duke e cilësuar situatën si një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik. Sipas APL-së, rënia ose mosfunksionimi i platformave kyçe online për shërbimet ndaj biznesit dhe profesionistëve, të integruara me e-Albania, krijon pasiguri juridike dhe ndërprerje të drejtpërdrejta të proceseve ligjore dhe administrative.
Këto platforma përbëjnë sot infrastrukturën bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe për periudha të shkurtra, sjell vonesa procedurale, rrezik penalitetesh, si dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët janë bërë pothuajse plotësisht të varur nga shërbimet digjitale publike.
Sipas reagimit të APL-së, situata aktuale ngre pikëpyetje të drejtpërdrejta mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve shtetërore, menaxhimin e riskut operacional, kapacitetet e back-up-it dhe redundancës, si dhe mbi mënyrën e komunikimit institucional në raste emergjente. Mungesa e informacionit të qartë mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre e përkeqëson më tej pasigurinë për përdoruesit.
Në këtë kuadër, Aleanca e Profesionistëve të Lirë vlerëson si të domosdoshme rritjen e transparencës institucionale mbi problemet teknike, forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve digjitale, si dhe parashikimin e procedurave alternative për rastet kur platformat nuk funksionojnë. Një tjetër kërkesë thelbësore lidhet me shtyrjen automatike të afateve ligjore dhe fiskale, për të shmangur penalizimin e subjekteve që objektivisht nuk kanë mundësi të përmbushin detyrimet e tyre për shkak të mosfunksionimit të sistemeve.







