Një udhëtim turistik përgjatë lumit Mekong në Laos u kthye në tragjedi, pasi një traget me më shumë se 140 persona në bord u përmbys, duke shkaktuar humbjen e jetës së tre personave, mes tyre një nënë dhe një fëmijë i mitur. Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten e kaluar gjatë lundrimit nga qyteti Huay Xay drejt Luang Prabangut, një itinerar shumë i përdorur nga turistët e huaj që vizitojnë vendin.
Sipas autoriteteve dhe mediave lokale, në bord ndodheshin 118 turistë dhe 29 banorë vendas, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit. Trageti goditi shkëmbinj nënujore dhe brenda pak minutash nisi të fundosej. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë skena kaotike, ku pasagjerët dëgjohen duke bërtitur për ndihmë, fëmijët qajnë, ndërsa njerëzit përpiqen të shpëtojnë veten dhe sendet e tyre personale.
Një nga pasagjerët, Anthonin, shtetas francez 30-vjeçar, rrëfeu se ekuipazhi ishte i papërgatitur për një situatë të tillë emergjente. Ai theksoi se në bord kishte shumë pak jelekë shpëtimi, rreth 15 gjithsej, çka e bëri situatën edhe më të rrezikshme. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt, pati konfuzion dhe panik të madh”, tha ai.
Fillimisht, një varkë që po kalonte pranë nuk ndaloi për të ndihmuar, ndërsa një mjet tjetër lundrues u afrua dhe nisi operacionin e shpëtimit. Sipas turistit britanik Bradley Cook, afrimi i varkës shpëtuese shkaktoi edhe më shumë kaos, pasi pasagjerët u grumbulluan në një anë të tragetit, duke bërë që uji të hynte edhe më shpejt në traget.
Shumë persona arritën të shpëtojnë duke u ngjitur në varkën shpëtuese, disa duke notuar, të tjerë duke u kapur pas parmakëve dhe duke u tërhequr nga pasagjerët e tjerë. Megjithatë, jo të gjithë ia dolën. Anthonin tregoi se kishte parë në bord një grua me dy fëmijët e saj, por ata nuk u panë më gjatë shpëtimit.
Më vonë, mediat vendase konfirmuan se trupi i gruas, e identifikuar si Pany Her, u gjet në afërsi të Luang Prabangut. Po ashtu, u gjet edhe trupi i një fëmije njëvjeçar, që besohet të ishte një nga fëmijët e saj. Kërkimet për fëmijën e dytë vijojnë ende. Një tjetër pasagjer, 19-vjeçari Gabrielius Baranovicius nga Lituania, tregoi se fillimisht ai dhe shoku i tij nuk e kuptuan seriozitetin e situatës, por gjithçka ndryshoi kur panë se trageti po fundosej. Ai ndaloi së xhiruari video dhe u përfshi menjëherë në ndihmën për nxjerrjen e njerëzve nga uji.
Për turistin britanik Bradley Cook, përvoja ishte e tmerrshme dhe e la të tronditur. Ai tha se po mendon të largohet nga zona dhe të kërkojë dëmshpërblim për sendet e humbura, ndërsa mbetet e paqartë se kush mban përgjegjësi për ngjarjen.
Incidenti i rëndë ka rikthyer në vëmendje problemet e sigurisë në transportin lumor në Laos. Nuk është hera e parë që ndodh një aksident i tillë në këtë zonë. Në shtator të vitit 2023, një tjetër anije pasagjerësh u përmbys në të njëjtin korridor të lumit Mekong, duke shkaktuar vdekjen e tre personave. Autoritetet pritet të nisin hetime për shkaqet e aksidentit dhe respektimin e standardeve të sigurisë në këto lundrime. /BBC/







