Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes SHPRESA – AL SHPK, e cila operon në tregun e transportit urban në Kamëz. Vendimi është marrë pas ankesave të depozituara pranë Autoritetit dhe shqetësimeve të bëra publike në media lidhur me rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve të transportit urban.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimi paraprak ka për objekt analizimin e kushteve të konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun e transportit urban në Bashkinë Kamëz, me fokus të veçantë në linjat Kamëz – Tiranë – Kamëz dhe Paskuqan – Babrru – Tiranë. Këto linja përbëjnë boshtin kryesor të lëvizjes ditore të pasagjerëve drejt dhe nga Tirana, duke i dhënë shërbimit një rëndësi të lartë ekonomike dhe sociale.
Nga dokumentacioni zyrtar i administruar rezulton se SHPRESA – AL SHPK është i vetmi operator i licencuar për ofrimin e shërbimit të transportit urban në këto linja. Për rrjedhojë, ndërmarrja zotëron pozitë dominuese në treg, në kuptim të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, çka e vendos atë nën një nivel më të lartë përgjegjësie për mënyrën e përcaktimit të tarifave dhe sjelljen ndaj konsumatorëve.
Vlerësimi paraprak i kryer nga Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se, deri në këtë fazë, nuk janë administruar analiza të plota ekonomike apo financiare që të provojnë se rritja e tarifave të biletave dhe aboneve mbështetet në rritje reale të kostove, është ekonomikisht e nevojshme dhe e justifikuar mbi baza objektive të tregut. Mungesa e këtyre analizave përbën një element kyç për hapjen e hetimit paraprak.
Hetimi do të përfshijë periudhën nga 1 janar 2025 deri më 12 dhjetor 2025, me qëllim vlerësimin nëse sjellja e ndërmarrjes SHPRESA – AL SHPK mund të përbëjë kufizim, shtrembërim ose pengim të konkurrencës, në kuptim të Ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se do të vijojë me administrimin e provave, analizën ekonomike dhe ligjore të çështjes dhe do të informojë publikun për rezultatet e procedurës dhe çdo vendimmarrje të mëtejshme. Hetimi paraprak nuk paragjykon përfundimet përfundimtare, por synon të verifikojë nëse ka indicie të mjaftueshme për shkelje të rregullave të konkurrencës në një treg me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe ekonomia lokale. /ekofin.al







