Në Shqipërinë e vitit 1944, mjaftonte një gjuhë e huaj për të përfunduar në burg. Mjaftonte të flisje italisht, të ndërhyje për të shpëtuar gra e fëmijë, dhe të mbijetoje në anën “e gabuar” të historisë. Për regjimin që po lindte, kjo ishte e pafalshme.
Paqize Reshat Spahia ishte vetëm 21 vjeçe kur u arrestua. Një vajzë nga Bilishti, sekretare poste, pa armë, pa pushtet, por me një akt që do të shpëtonte rreth 200 gra dhe fëmijë nga pushkatimi. Në dosjen e saj, kjo nuk u quajt kurrë shpëtim. U quajt bashkëpunim me armikun.
Një dokument i rrallë arkivor, i datës 7 shtator 1947, sjell në dritë një histori që komunizmi vendosi ta dënojë me heshtje. Në një letër drejtuar autoriteteve të kohës, nën moton “Vdekje Fashizmit – Liri Popullit”, Paqize Spahia përshkruan dramën e saj personale dhe një episod që do të kishte përfunduar në masakër, po të mos kishte ndërhyrë ajo.

Pas vrasjes së pesë gjermanëve në zonën e Bilishtit, forcat naziste kishin mbledhur rreth 200 gra dhe fëmijë në një shtëpi pranë malit, duke vendosur mitralozët për t’i pushkatuar. Paqize Spahia, sipas dëshmisë së saj, u përball drejtpërdrejt me komandantin gjerman dhe i kërkoi lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ishin luftëtarë, por civilë. Ajo pretendon se kjo ndërhyrje shpëtoi jo vetëm jetët e tyre, por edhe vetë qytetin nga një akt hakmarrjeje kolektive.
Në të njëjtën letër, Spahia rrëfen se njohja e gjuhës italiane e ktheu në peng të gjermanëve, të cilët e morën me forcë si përkthyese. Edhe në këtë rol të imponuar, ajo shkruan se arriti të shpëtonte tre shtëpi nga djegia në Hoçisht. Ajo u kërkon autoriteteve që të pyesin Këshillin Popullor të Bilishtit, gra e burra të zonës, për të vërtetuar veprimet e saj “në dobi të popullit”.
Por Shqipëria e pasluftës nuk pyeste dëshmitarë. Pyeste vetëm biografinë.
Në vitin 1947, Paqize Spahia ndodhej prej afro tre vitesh në burg dhe kishte ende dy vite të tjera për të vuajtur. Në apelin e saj të fundit, ajo kërkon falje dhe liri në ditën e festimit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke shkruar se po “tretej si qiri” në qeli.
Letra e saj nuk është vetëm një kërkesë për mëshirë. Është një akt akuzë ndaj një sistemi që shpalli armike një vajzë që kishte shpëtuar jetë./vna







