Ballina Editorial Silvana, Gjeta dhe Spaçi

Silvana, Gjeta dhe Spaçi

24
0

Nga Ermal Peçi

Të shtunën isha në Spaç, me ftesë të Silvana Gegës, nënkryetares së Shoqatës së të Përndjekurve nga Regjimi Komunist, për të mbajtur një fjalim. Nuk ishte një vizitë e zakonshme. Ishte një përballje. Me historinë, me heshtjen, me plagët që Shqipëria ende refuzon t’i shohë drejt në sy. Spaçi nuk është thjesht një vend. Është dëshmi. Është akuzë. Është kujtesë që dhemb.

Prej kohësh është hapur një debat i turpshëm: a duhet zhvendosur Spaçi. Sikur krimet të lëvizin. Sikur dhimbja të paketohet. Sikur kujtesa të transportohet. Spaçi nuk zhvendoset, sepse Spaçi nuk është beton e hekur. Është vendi ku shteti shqiptar burgosi, poshtëroi dhe shkatërroi bijtë e vet. Është aty ku është, sepse aty ndodhi krimi.

Por Spaçi nuk duhet as të lihet të vdesë. Rrënojat nuk janë muze. Harresa nuk është zgjidhje. Spaçi duhet restauruar urgjentisht, me dinjitet dhe përgjegjësi, jo për ta zbukuruar, por për ta ruajtur siç është: i vërtetë, i ftohtë, akuzues. Çdo ditë që kalon pa ndërhyrje është një tjetër krim, këtë herë nga ne.

Në Spaç takova njerëz që mbajnë gjallë atë që shteti e ka braktisur.

Takova Gjet Gjonin, një njeri me zemër të madhe, historia e familjes së të cilit është e lidhur drejtpërdrejt me të burgosurit e Spaçit. Familja e tij u kujdes për familjarët e të dënuarve, ndau bukën, frikën dhe rrezikun në një kohë kur humanizmi dënohej. Sot, ai është ende aty, jo për lavdi, por nga ndërgjegjja.

Gjeta është roja i Spaçit me shpirt. Njeriun që e ruan këtë vend jo sepse paguhet, por sepse e ndien. Ai bën atë që shteti nuk e bën: përpiqet çdo ditë që Spaçi të mos shkatërrohet më shumë seç është. Është paradoksale dhe e dhimbshme që kujtesa jonë kombëtare varet nga vullneti i një njeriu të vetëm.

Silvana Gega është bija e një të burgosuri politik të Spaçit, i cili vuajti 15 vite burg. Ajo nuk kërkon hakmarrje. Kërkon ndërgjegjësim. Me vullnetin e saj, pa zhurmë, përpiqet të zgjojë një shoqëri që ende fle mbi varret e së vërtetës. Ajo flet për pasojat e komunizmit, për plagët që nuk u shëruan kurrë dhe për domosdoshmërinë që Spaçi të restaurohet, jo vetëm fizikisht, por edhe në kujtesën tonë kolektive.

Shoqëria shqiptare duhet të përballet. Nuk ka demokraci pa të vërtetë. Nuk ka të ardhme pa kujtesë. Spaçi është prova se komunizmi nuk ishte ide, por dhunë. Dhe çdo përpjekje për ta relativizuar, zhvendosur apo lënë në harresë është vazhdim i së njëjtës padrejtësi.

Spaçi nuk ka nevojë për retorikë. Ka nevojë për përgjegjësi. Ne, si shoqëri, kemi nevojë për Spaçin, jo si simbol turistik, por si pasqyrë ku të shohim se çfarë ndodh kur shteti bëhet armik i qytetarit.