Katër herë zbriti Meri Popins nga oxhaku i familjes Benks, në 4 shfaqjet e vëna në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë.
Premiera absolute e muzikalit aq të dashur botërisht, u duartrokit gjatë edhe nga fëmijët e kryeqytetit dhe prindërit që i shoqëronin. Çadra fluturuese, çanta magjike, zëri i ëmbël i Venera Lumanit si edhe loja e natyrshme e dy fëmijëve protagonistë, sollën në sallë një frymë përralle duke i përhumbur në ëndërrime.
Ashtu si në Broadway, Meri zbriti plot sharm e magji edhe në Teatrin e Kukullave duke sjell gëzim, por edhe rregull e këshilla. Misheli Kadeli e Luana Thomai, dy fëmijët nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, që interpretuan Majkëll Benks dhe Xhejn Benks, u argëtuan me dadon e tyre speciale, por edhe mësuan një nga një fjalët magjike.
Siç ndryshoi dhoma e tyre, që u bë e rregullt dhe e bukur kur misioni i Merit mbaroi, edhe jeta e fëmijëve mori një udhë tjetër. Bashkë me Majkëllin dhe Xhejnin, edhe spektatorët e vegjël mësuan se është e rëndësishme të thuash “të lutem” apo “faleminderit”.
E veçanta e shfaqjes ishte bashkëpunimi mes Teatrit të Kukullave dhe QKKF. Përveç Mishelit e Luanës, në shfaqje morën pjesë edhe 10 balerinë të vegjël të cilët shoqërojnë Merin në disa prej 8 pjesëve të kënduara të shfaqjes. Prania e aktorëve të vegjël, bëri që edhe bashkëmoshatarët e tyre spektatorë të përfshiheshin më shumë në historinë e Merit.
“Meri Popins” ishte muzikali i shumëpritur në mbyllje të këtij viti, me regji të Endri Çelës. Interesi i publikut ishte i madh dhe kjo u vu re edhe nga radha e gjatë në biletarinë e Teatrit të Kukullave.







