Një apartament i lëshuar me qira, ku shfrytëzoheshin gra për prostitucion, është zbuluar në Vlorë, ndërsa u godit një rrjet i paligjshëm i këtij aktiviteti.
Zbulimi u bë në lagjen “Pavarësia”, aty ku shfrytëzohej sipas policisë, një shtetase kineze.
Dy kinezë u identifikuan dhe arrestuan si bashkëpunëtorë dhe drejtues të aktivitetit kriminal, kurse një i tretë u shpall në kërkim. Të arrestuarit janë një burrë dhe një grua, kurse një tjetër femër 50-vjeçare është shpallur në kërkim.
“Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua operacioni i koduar “Victim”, që goditi një rast të shfrytëzimit për prostitucion.
Nga hetimet u identifikuan 3 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. 2 prej tyre, shtetasja X. L., 40 vjeçe, banuese në Kinë dhe shtetasi B. Ë., 31 vjeç, banues në Kinë, u vunë në pranga, ndërsa bashkëpunëtorja, shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim.
E dyshuara kineze J. G. dhe shtetasi E. B., i cili u konstatua në apartament, u proceduan penalisht për veprën penale “prostitucion”. Punohet për kapjen e shtetases kineze të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e kësaj të veprimtarie kriminale”, njoftoi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.







