Ballina Aktualitet “74 milionë euro për ‘Tigrat’ që nuk prodhojnë”, Elezi shpërthen: Qytetarët paguajnë...

“74 milionë euro për ‘Tigrat’ që nuk prodhojnë”, Elezi shpërthen: Qytetarët paguajnë dështimin e Ballukut

23
0

Në dy vite u paguan 74 milionë euro pa prodhuar asgjë me “Tigrat” e energjisë dhe e gjithë kjo situatë ka një shkaktare pasi është vjedhje e pastër. Dhe shkaku është zv/kryeministrja Belinda Balluku, për të cilën prokuroria duhet të hetojë, pasi është abuzim financiar.
Kështu u shpreh sot eksperti i energjisë, Eduart Elezi.

Ai analizoi situatën energjetike në Shqipëri dhe kolapsin ku ka rënë institucioni përgjegjës, në këtë rast Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, si përgjegjëse.

Ai ka komentuar edhe situatën e termocentraleve lundruese, me “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, duke akuzuar ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për keqmenaxhim dhe shpenzime të tepruara që rëndojnë mbi qytetarët.

“Kostoja e qirasë dhe mirëmbajtjes për dy vite e këtyre dy centralëve është 74 milion euro. Plus prodhimi i tyre i energjisë, kapaciteti maksimal është 110 mega, dhe kosto për kilovat/orë shkon 60-70 lekë. Kjo është një kosto shumë e lartë për qytetarët shqiptarë, është një vjedhje”, tha eksperti mes të tjerash.

Elezi shpjegoi se vetëm sjellja e tyre ka kushtuar 15 milionë euro, ndërsa qytetarët paguajnë qira për dy vite 74 milion euro. Ai thekson se kjo duhet të hetohet nga organi i akuzës pasi është vjedhje ndaj qytetarëve dhe shkaktare është ministrja Balluku.

“Janë 74 milionë euro për dy vite të shpenzuara pa prodhuar asgjë, plus 15 mln euro për sjelljen e tyre në Shqipëri. Kjo duhet patjetër të hetohet nga Prokuroria, sepse është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve, një situatë e shkaktuar nga ministrja që ende mban detyrën, Belinda Balluku”, u shpreh eksperti.

Elezi e cilësoi situatën serioze të menaxhimit të energjisë në vend, duke theksuar se kostoja e lartë e këtyre termocentraleve ka rënduar faturat e energjisë për qytetarët shqiptarë dhe ka pasur ndikim negativ në sektorin energjetik.

Ai komentoi ehe çmimin e energjisë për abonentët familjarë dhe argumentoi se duhet të ishte ulur ndjeshëm.

“Çmimi për abonentët familjarë duhej të ulej, duke argumentuar se energjia e prodhuar brenda vendit ka kosto shumë të ulët. Po t’i referohesh tregut, çdo biznes apo palë që nuk konsiderohet familjar paguan 19.5 lekë për kWh, sikur gjithë energjia të vinte nga importi. Energjia nga importi kushton rreth 10 lekë për kWh. Edhe për abonentët familjarë, të gjithë energjia që prodhohet këtu, që është me kosto të lirë, nuk reflektohet në faturë. Nëse kjo energji të merrej nga KESH, çmimi për familjarin do të ishte rreth 7-7.5 lekë për kWh”, u shpreh Elezi.

Ai kritikoi gjithashtu investimet dhe menaxhimin e kompanive publike.

“Enti rregullator nuk ka ndjerë obligimin ligjor për investime në kompani publike. Shpenzime që nuk i shërbejnë KESH-it, konsulenca me miliona euro, paguhen nga konsumatori. Kostoja shkarkohet ose te abonenti familjar ose te biznesi shqiptar. Çmimet e energjisë në Shqipëri janë më të lartat në rajon dhe ndër më të lartat në BE”, tha eksperti.

Duke folur për tregun e energjisë, Elezi theksoi se mosliberalizimi ka krijuar monopol dhe korrupsion dhe përgjegjëse është ministrja:

“Ministrja Balluku dhe elementë të kompanive që merren me tregtimin e energjisë kanë realizuar tendera fiktivë. Shqipëria eksporton me çmime shumë të ulëta dhe kur importon i merr me çmime pa logjikë. Ky është një prej arsyeve pse BE e ka përjashtuar Shqipërinë në ministrialin e energjisë, për shkak të cenimit të tarifave në bursë. Shqipëria ka shkaktuar blackout në gjithë Ballkanin. Linjat e transmetimit punuan në maksimum pa rezerva, duke shkaktuar ndërprerje furnizimi për Greqinë dhe vende të tjera. Kjo nuk është një hetim zyrtar, por një analizë teknike. Kostot e shkaktuara janë shumë të larta dhe mund të faturohen përmes tregut rajonal të energjisë”.

Elezi përfundoi duke nënvizuar se investimet nuk janë menaxhuar si duhet, shpenzimet e panevojshme për konsulenca dhe struktura administrative rëndojnë mbi konsumatorët shqiptarë dhe çmimet e energjisë elektrike janë më të lartat në rajon.