Gjykata e Shkallës së Parë ka marrë vendim duke pranuar kërkesën për sigurimin e padisë dhe duke pezulluar të drejtën e votës së aksionarit Mabco Construction SA, si dhe çdo të drejtë tjetër që rrjedh nga zotërimi i kuotës, në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., deri në vendimin përfundimtar.
Vendimi vjen pas padisë për përjashtimin e ortakut dhe pas konstatimit se ekzistonte një rrezik real, i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm që Aeroporti i Vlorës të humbiste kontrollin shqiptar përmes një skeme financiare të fshehtë. Sipas padisë dhe vlerësimit paraprak të gjykatës, Behgjet Pacolli dyshohet se ka përdorur shumicën e votës për të sunduar shoqërinë në mënyrë të njëanshme, duke marrë vendime pa Asamble, duke publikuar akte të pavlefshme në QKB, duke shkarkuar administratorë që refuzuan të firmosin dhe duke bllokuar çdo kundërshtim institucional.
Zemra e dosjes lidhet me “Compartment Bernina”, një strukturë financiare e huaj e përfshirë në një kontratë të lidhur në fshehtësi përmes Delphos Securities SARL”, e cila sipas dokumenteve të padisë nuk përfaqësonte një kredi të zakonshme, por një mekanizëm që i transferonte kontrollin real ekonomik dhe vendimmarrës të aeroportit një pale të tretë jashtë Shqipërisë. Padia përshkruan se skema Bernina–Delphos parashikonte veto mbi statutin, administratorët, llogaritë bankare dhe të ardhurat koncesionare, si dhe klauzola që, në rast mospërmbushjeje, do ta kalonin aeroportin në mënyrë të pakthyeshme në kontroll të investitorëve anonimë jashtë juridiksionit shqiptar, duke shuar çdo mundësi reagimi nga shteti dhe gjykatat vendase.
Gjykata ka vlerësuar se, nëse vota dhe pushteti vendimmarrës do të vazhdonin të ushtroheshin, do të krijohej një fakt i kryer: ndryshime statuti, emërime administratorësh të kontrolluar dhe thellim i zbatimit të skemës Bernina–Delphos, duke e bërë drejtësinë formale dhe pa efekt. Për këtë arsye, është urdhëruar ngrirja e plotë e votës dhe e çdo të drejte që buron nga kuota, si masë emergjente për të ndalur përshkallëzimin e rrezikut dhe për të mbrojtur një pasuri publike strategjike.
Pezullimi do të qëndrojë në fuqi deri në vendimin përfundimtar dhe dërgon një mesazh të fortë për publikun se, kur përballë janë skema si “Compartment Bernina” dhe Delphos, drejtësia ka zgjedhur të ndërhyjë tani, përpara se Aeroporti i Vlorës të mbyllej juridikisht jashtë Shqipërisë./Kapitali







