Ballina Opinion SPAK, kirurgu me bisturi i thirrur me vonesë, pasi shumë kishin frikë...

SPAK, kirurgu me bisturi i thirrur me vonesë, pasi shumë kishin frikë të shihnin gjakun

43
0

Nga Red Varaku 

SPAK-u, për të gjithë ata që pëlqejnë të sillen si ‘zonja të ndjeshme’ para një realiteti të përgjakshëm, nuk është xhelati dhe as kasapi që duan të na paraqesin.

SPAK në fakt është kirurgu i thirrur me vonesë. Dhe kur kirurgu vjen vonë, operacioni nuk bëhet më me anestezitë morale, por me bisturi të pamëshirshme.

Kjo sepse sistemi politik shqiptar është një trup i infektuar rëndë, që ka kaluar dekada duke fshehur gangrenën nën nevojën për “stabilitet”.

Ata që sot ulërasin nga dhimbja e operacionit, janë të njëjtët që refuzuan trajtimin kur infeksioni ishte ende i shërueshëm.
Ata që sot flasin për “forcë antidemokratike”, për “drejtësi me regjim” janë pikërisht ata që e kthyen shtetin në një morg institucional.

Janë ata që kërkojnë qetësi vetëm që infeksioni të vazhdojë pa zhurmë. Janë hipokritët që duan një drejtësi sterile mbi një trup të kalbur.

Po, operacioni është i dhimbshëm. Sigurisht ka edhe gjak. Po, operacioni do të ketë britma. Por kjo nuk është shenjë barbarie. Kjo është shenjë se më në fund ndërhyrja po ndodh. Sepse alternativë tjetër nuk ka: ose bisturia e SPAK-ut, ose autopsia e shtetit shqiptar.

Kjo është arsyeja pse SPAK-u sulmohet me kaq nerv. Jo sepse po gabon, por sepse po ‘pret’ pa mëshirë pjesët e kalbura të sistemit. Jo sepse po shkel ligjin, por sepse po shkel mbi një rend të vjetër që jetonte vetëm falë pandëshkueshmërisë.
Në fund, historia nuk do t’i mbajë mend ata që u ankuan për dhimbjen e operacionit. Historia do të mbajë mend vetëm që pacienti mbijetoi vetëm falë këtij operacioni.

Dhe nëse mbijetoi, kjo do të jetë falë kirurgut që guxoi të përdorë bisturinë, kur të gjithë të tjerët kishin frikë të shihnin gjakun…