Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ka publikuar prova që, sipas tij, tregojnë se më 15 dhjetor Ergys Agasi ka qenë në banesën e kryeministrit Edi Rama në Surrel.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha e cilësoi Surrelin si “zonë krimi”, duke pretenduar se ndërtimet aty janë realizuar, sipas tij, përmes vjedhjes së fondeve publike. Ai tha se opozita e ka shpallur këtë zonë si të tillë dhe shtoi se prania e Agasit aty përbën një provë të rëndësishme.
“Është kapur në zonën e krimit. Surreli është zonë krimi, sepse çdo tullë është vendosur në vjedhje dhe është paguar nga qytetarët shqiptarë. Çdo metër katror aty është i vjedhur. Ja ku është dëshmia, ka lënë makinën aty. Nëse është marrë apo jo me karotrec nuk e them, por aty nuk mund të parkojë askush”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se, sipas tij, fakti më domethënës lidhet me fitimet financiare të kompanisë EA Solution, duke pretenduar se brenda katër muajve ato kanë qenë 22 milionë herë më të larta se kapitali fillestar i investuar.
Në përfundim, Berisha deklaroi se kjo situatë përbën, sipas tij, një fyerje dhe provokim ndaj qytetarëve shqiptarë, duke shtuar se “nuk ka fyerje më të madhe sesa Rama të qëndrojë në pushtet”.








