Pas katër javësh hetime, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Labirinti 2”, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit janë identifikuar 33 shtetas, të cilët, individualisht ose në grupe, ushtronin aktivitet të paligjshëm në shitjen e lëndëve narkotike në forma të ndryshme. Për 22 prej tyre është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”. Pesë persona janë arrestuar gjatë hetimeve, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e grupit.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri,Armandi Hajdini, Olsi Mici,Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa,Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja
Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar kokainë, 10 kg lëndë e dyshuar cannabis sativa dhe 100 doza të kësaj lënde, 5 automjete, 28 celularë, 6 peshore elektronike dhe 3,000 euro.
Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit A. V., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç, G. V., 19 vjeç, S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.
Hetimet treguan se aktiviteti kriminal shtrihej në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Bllokun, Kamzën, Laprakën, Selitë, Tiranën e Re, Shkozën, Ali Demin, Xhamllikun, Pazarin e Ri, Shkollën e Kuqe, Astirin, Myslym Shyrin dhe Komunën e Parisit. Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi dhe shpërndaheshin të kamufluara si porosi të ndryshme.
Gjashtë persona të tjerë të identifikuar si pjesë e rrjetit janë shpallur në kërkim, ndërsa materiali procedurial i operacionit iu referua Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.







