Ballina Bota Zjarr në një shtëpish pleqsh në Pensilvani, të paktën dy të vdekur

Zjarr në një shtëpish pleqsh në Pensilvani, të paktën dy të vdekur

25
0

Të paktën dy persona raportohet se kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një shtëpi të të moshuarve në Pensilvani, i cili shkaktoi shembjen e pjesshme të ndërtesës.

Siç njofton BBC, ekipet e emergjencës u thirrën në shtëpinë e të moshuarve Silver Lake në Bristol rreth orës 14:00 sipas kohës lokale (19:00 GMT) të martën, pasi fillimisht u raportua për erë gazi.

Sipas autoriteteve, në momentin kur ekipet mbërritën në vendngjarje, ndërtesa shpërtheu, duke shkaktuar një zjarr të madh.

Pesë persona ende rezultojnë të zhdukur, por zyrtarët thanë se nuk janë të sigurt nëse këta persona ndodheshin brenda ndërtesës.

Ekipet e shpëtimit nxorën banorët përmes dritareve, shkallëve dhe ashensorëve, duke i bartur drejt sigurisë, ka deklaruar për gazetarët shefi i zjarrfikësve, Kevin Dippolito.

“Ishte një polic që fjalë për fjalë i hodhi dy persona mbi shpatulla dhe vrapoi me ta drejt stafit mjekësor”, tha ai.

Sipas Dippolitos, disa persona ishin bllokuar në bodrumin e ndërtesës së shembur, por u arrit të shpëtoheshin.

“Ne ende jemi në fazën e shpëtimit. Nuk kemi kaluar në fazën e rikuperimit,” u shpreh ai.

Ekipet e emergjencës po vazhdojnë punën për të shpëtuar persona të mundshëm që mund të jenë ende të bllokuar brenda ndërtesës, tha shefi i zjarrfikësve.

Ndërkaq, Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, tha se numri i saktë i të plagosurve ende nuk dihet, ndërsa shkaku i shpërthimit mbetet nën hetime.

Pamje dhe video të publikuara në rrjetet sociale nga mediat lokale tregojnë një ndërtesë pjesërisht të shembur, nga e cila dalin flakë të mëdha.

Shapiro vlerësoi ndihmën e autoriteteve nga e gjithë zona që u mobilizuan për të ofruar asistencë, si dhe banorët që jetojnë pranë shtëpisë së të moshuarve, duke i quajtur ata të jashtëzakonshëm.

“Patëm banorë që dolën nga shtëpitë e tyre duke ofruar ndihmë,” tha ai. “Kjo është mënyra e Pensilvanisë: fqinjët që ndihmojnë fqinjët në një moment nevoje.”