Ballina Ekonomia Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon rritjen, mbi 10.8 milionë pasagjerë deri në...

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon rritjen, mbi 10.8 milionë pasagjerë deri në nëntor

35
0

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mbyllur periudhën janar–nëntor 2025 me një bilanc shumë pozitiv, duke konfirmuar rritjen e qëndrueshme të trafikut ajror dhe forcimin e rolit të tij si porta kryesore ajrore e Shqipërisë dhe një nga nyjet më dinamike të transportit në rajon. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 11 muajve të parë të vitit, nëpërmjet Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kanë udhëtuar rreth 10.87 milionë pasagjerë, me një rritje të qëndrueshme me vitin e kaluar, që ishte një vit rekord rritjeje.

Vetëm gjatë muajit nëntor, aeroporti ka shërbyer 765,890 pasagjerë, duke konfirmuar se fluksi i lartë i udhëtimeve nuk është kufizuar vetëm në sezonin veror, por ka vijuar edhe në muajt e fundit të vitit. Gjatë këtij muaji janë realizuar 4,490 fluturime, të shpërndara në 67 destinacione dhe 21 shtete, ndërsa 20 linja ajrore kanë operuar në TIA. Pesë destinacionet kryesore për nga numri i pasagjerëve ishin Milano, Londra, Roma, Bolonja dhe Piza, duke reflektuar lidhjet e forta me tregjet tradicionale europiane dhe rolin e aeroportit si pikë kyçe për diasporën dhe turizmin.

Rritja e përgjithshme e trafikut gjatë janar–nëntor 2025 është mbështetur nga zgjerimi i vazhdueshëm i rrjetit të fluturimeve, shtimi i destinacioneve dhe frekuencave, si edhe nga fluksi i lartë turistik që ka vijuar edhe përtej muajve të pikut. Gjatë muajve janar–tetor, aeroporti kishte shërbyer rreth 10.1 milionë pasagjerë, ndërsa performanca e fortë e nëntorit e ka çuar totalin vjetor në nivele rekord, duke konfirmuar një trend rritës të qëndrueshëm krahasuar me vitin e kaluar.