Ballina Dossier Drama e aktorit Enver Dauti dhe refuzimi i shtetit komunist për t’i...

Drama e aktorit Enver Dauti dhe refuzimi i shtetit komunist për t’i lejuar kurimin e bashkëshortes

24
0

Në vitin 1961, aktori i Estradës së Shtetit Enver Dauti i drejtohet me një letër Enver Hoxhës, duke kërkuar leje që bashkëshortja e tij, Adelaide Dauti, të udhëtojë jashtë Shqipërisë për arsye shëndetësore. Kërkesa lidhej drejtpërdrejt me gjendjen e vajzës së tyre, e sëmurë nga poliomieliti, me deformime të rënda fizike, veçanërisht në këmbë, për të cilën mundësitë e trajtimit brenda vendit ishin shumë të kufizuara.

Në letër, Dauti sqaron se destinacioni ishte Bari i Italisë dhe se udhëtimi nuk do të kishte asnjë kosto për shtetin shqiptar, pasi shpenzimet do të mbuloheshin nga familjarë që jetonin atje. Ai thekson se bëhej fjalë vetëm për kurim mjekësor dhe jo për emigrim apo qëndrim të përhershëm jashtë vendit.

Drama e aktorit Enver Dauti dhe refuzimi i shtetit komunist për t'i

Drama e aktorit Enver Dauti dhe refuzimi i shtetit komunist për t'i

Në të njëjtën kërkesë, aktori përmend edhe gjendjen e rëndë shëndetësore të hallës së bashkëshortes, e cila e kishte rritur Adelaide-n si nënë dhe dëshironte ta shihte për herë të fundit. Kërkesa ishte e formuluar në mënyrë të përmbajtur dhe në gjuhë të kujdesshme, tipike për komunikimin me pushtetin e kohës.

Megjithatë, letra nuk prodhoi asnjë rezultat. Çështja u trajtua për vite në heshtje dhe vetëm në vitin 1964 u dha një përgjigje zyrtare përfundimtare. Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një shkrese drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së, konfirmoi refuzimin e kërkesës.

Dokumenti, i firmosur nga zëvendësministri Mihallaq Ziçishti, nuk e bazon vendimin në arsye mjekësore. Refuzimi lidhet me të kaluarën politike të familjes: halla e Adelaide Dautit ishte dëbuar më parë nga Shqipëria për “qëndrim armiqësor ndaj vendit”, ndërsa vetë Adelaide konsiderohej person me “qëndrim jo të mirë politik”. Në dokument përmendet gjithashtu se nuk ishte paraqitur raport zyrtar i një komisioni mjekësor për sëmundjen e vajzës.

Drama e aktorit Enver Dauti dhe refuzimi i shtetit komunist për t'i

Kështu, kërkesa për kurim mjekësor u refuzua jo për shkak të pamundësisë teknike apo financiare, por për arsye politike dhe biografike. Rasti i Enver Dautit tregon se edhe çështje që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin e një fëmije trajtoheshin përmes filtrit ideologjik të regjimit, ku vendimmarrja nuk varej nga nevoja humane, por nga vlerësimi politik i familjes./vna