Ballina Sport Kroati dikur shënoi 92 gola në ligën më të fortë në botë,...

Kroati dikur shënoi 92 gola në ligën më të fortë në botë, sot punon pas banakut të një kafeneje

42
0

Mark Viduka, një nga ish sulmuesit më të frikshëm të Premier League dhe ndër ish futbollistët më të mëdhenj në historinë e Australisë, sot jeton larg vëmendjes mediatike, duke drejtuar një kafene së bashku me bashkëshorten e tij.

Gjatë karrierës, Viduka shënoi 92 gola në Premier League në 240 ndeshje me fanellat e Leeds United, Middlesbrough dhe Newcastle, duke u bërë i paharrueshëm veçanërisht për ndeshjen historike ku realizoi katër gola kundër Liverpoolit në vitin 2000.

Ai zhvilloi 43 ndeshje me Australinë, duke qenë edhe kapiten në Kupën e Botës 2006, ku “Socceroos” u eliminuan në 1/8 e finales nga Italia kampione e botës.

Viduka i dha fund karrierës në vitin 2009, pas problemeve të shumta me dëmtimet, me ndeshjen e fundit që përkoi me rënien e Newcastle nga elita angleze.

Megjithatë, ai shprehet krenar për periudhën e tij në klub dhe lidhjen me tifozët.

Sot, në moshën 50-vjeçare, Viduka jeton në Zagreb të Kroacisë, ku menaxhon kafenenë “Non Plus Ultra”, e cila frekuentohet nga vendas, turistë dhe edhe emra të njohur si Goran Ivanisheviq.

I lindur në Australi nga prindër kroatë, Viduka është edhe kushëri i yllit të Milanit, Luka Modriç.

I larguar nga fama, Viduka thotë se nuk ka qenë kurrë i fiksuar pas saj apo pas parave, duke theksuar se gjithmonë ka preferuar të jetë i sinqertë me veten.

Sot, ai gjen kënaqësi në një jetë të thjeshtë, pas një karriere që la gjurmë të mëdha në futbollin anglez dhe ndërkombëtar.