Ballina Aktualitet “Lumi” i gjobave të Rrugores e ka përkeqësuar trafikun

“Lumi” i gjobave të Rrugores e ka përkeqësuar trafikun

50
0

Policia Rrugore herë pas here kthehet më shumë në një institucion statistikash sesa në një mekanizëm që do të duhej të rregullonte kaosin e përditshëm rrugor në kryeqytet dhe jo vetëm.

Policia Rrugore e Tiranës shpërndau një njoftim për mediat, duke paraqitur shifra të papara më parë gjobash ndaj qytetarëve që përdorin automjetet.

Nëse qëllimi ka qenë mbushja e arkës së shtetit, atëherë Policia e ka kryer misionin e saj; por nëse po flasim për përmirësim të situatës rrugore, kjo nuk duket askund.

Rezultatet e Policisë tregojnë se vetëm gjatë javës së shkuar janë gjobitur 4.744 drejtues që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, mes tyre përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, shpejtësia mbi normat e lejuara, parakalimi i gabuar, qendrimi nue shkelje të tabelës etj.

Vepra që padyshim meritojnë vëmendje dhe ndëshkim.

Sipas Policisë, 32 shoferë janë arrestuar ose do të hetohen në gjendje të lirë. Ndërkohë, në kuadër të këtij operacioni janë bllokuar 53 automjete.

Ndër masat e njoftuara qendrojnë:

             Qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara – 1.838 masa

             Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit – 1.207 masa

             Mosvendosje e rripit të sigurimit – 722 masa

             Mosvendosje e kaskës mbrojtëse – 653 masa

             Mosrespektim i radhës së qarkullimit – 250 masa

             Parakalim i gabuar – 74 masa

Në të njëjtën kohë, dhjetori rezulton një muaj dukshëm fitimprurës për arkën e shtetit. Më 4 dhjetor, Policia Rrugore e Tiranës njoftoi vendosjen e mbi 4.000 masave administrative, ndërsa vetëm tre ditë më vonë kësaj shifre iu shtuan edhe 2.900 gjoba të tjera. Më 9 dhjetor u raportuan edhe 2.259 masa administrative shtesë, të ndjekura vetëm një ditë më pas nga rreth 2.000 gjoba të tjera. Edhe pse më 15 dhjetor numri i masave të vendosura ishte më i ulët, 534 gjoba, kjo nuk ndryshon faktin se, vetëm brenda tre javëve, në kryeqytet janë vendosur mbi 16.000 masa administrative për kundërvajtje rrugore, ndërsa dhjetëra drejtues mjetesh janë arrestuar ose proceduar penalisht.

Megjithatë, ACQJ vendosi të bëjë një vëzhgim mbi mënyrën se si menaxhohet qyteti. Mungesa e Policisë në akset më të rënduara, si për shembull rrethrrotullimi i Rrugës së Elbasanit, në mëngjes dhe në darkë, bën që qytetarët të qëndrojnë me orë të tëra të palëvizur në trafik.

Paradoksalisht, pak metra më tutje, sapo lirohesh nga trafiku për t’u ngjitur drejt Sanatoriumit, një patrullë qëndron vazhdimisht, e gatshme të “shfrytëzojë” zemërimin e ndonjë shoferi që, pasi është mbajtur për orë të tëra në trafik, sheh një rrugë të lirë dhe përballet menjëherë me “forcën e ligjit”.

Nuk mungojnë gjobat e përditshme që, më shumë se gjithçka tjetër, shërbejnë si numra në raportimet e Policisë, sesa si një mësim i vlefshëm për shoferët që gabojnë.

Një tjetër shembull nga vëzhgimi në terren është ai i Rrugës “Myslym Shyri”, buzë rrugës, një nënë që sapo ka marrë fëmijën e saj me karrocë dhe po pret bashkëshortin, i cili nuk ka askund ku të hapë sinjalin për ndalim, pasi korsia e biçikletës nuk e mundëson më, vendos të ndalojë për pak sekonda duke hapur bllokazhin. Por më i shpejtë se sa prindi që mbyll karrocën dhe akomodon fëmijën është polici me motor që patrullon në këtë aks.

Ai ndalon dhe vendos të gjobisë kryefamiljarin për ndalim në vend të gabuar. Pavarësisht shpjegimeve që përpiqet të japë qytetari, polici e gjobit me 3.000 lekë, ndoshta më shumë se paga ditore e të gjobiturit.

Polici ka të drejtë në këtë rast, nëse i referohemi ligjit, por edhe qytetarit i mbeten shumë pak alternativa në këtë kaos me të cilin përballemi çdo ditë.

Megjithatë, në gjithë këtë bilanc masash administrative mungon një tregues thelbësor: përmirësimi i sigurisë rrugore. Policia Rrugore nuk ka publikuar asnjë të dhënë që të tregojë nëse rritja e ndëshkimeve ka sjellë ulje të aksidenteve. Apo nëse ka ndikuar në reduktimin e bllokimeve të trafikut. Po ashtu, mungojnë të dhënat për shkeljet e përsëritura në akset më problematike të kryeqytetit. Pa këtë lidhje shkak-pasojë, gjobat mbeten thjesht shifra.