Nga Ilir Muharremi
Uniteti i artistit qëndron te streha e kërkimit dhe hulumitmit. Pra të hulumtosh do të thotë të argumentosh, kjo lojë e shkencës me estetikën ndriçon rrugën e krijimit, pra përtej rezultatit momental, përtej kufizimeve aty ku vepra arrinë pjekurinë e saj. Veprat e artistit shqiptar Alkan Nallbani, i cili jeton dhe vepron në New York, janë të ekspozuara në galerinë “Open Art Gallery” në Prishtinë, e udhëhequr nga artisti Naim Spahiu. Ato klithin lartë, zëri i tyre me forcën e dritës, fuqinë e saj estetike, vizive deri në analizën psikologjike krijon një lojë të brendshme drejt objektivit të jashtëm. Arsyeja, pasioni ndihmojnë njëra tjetren dhe artisti përfaqëson thelbin e forcave të tij. “Yellow Spots in the Black Box” , nuk është thjesht një cikël punimesh vizuale, është një praktikë arkivore e një gjendjeje perspektive.
Puna e Nallbanit ngrit një laborator të përkohshëm për të përsëritur, testuar dhe ekspozuar mënyrat me të cilat drita si prani e shpërthyer dhe si njollë e kufizuar ndriçon dhe mpreh hapësirat e brendshme të kujtesës dhe subjektivitetit. Ekspozita lartësohet në një kontrast të dyfishtë, sipërfaqja e errët e “kutisë” si vend i mbyllur dhe njollat e verdha, dritë që shfaqen si rastësi apo emergjencë si copëza të shpërthyera të afektit dhe njohjes. Filozofia qëndron te koncepti i dritës e cila ka shpejtësi, estetikë, nuancime, siluetë, imazhe, lëvizje, tempo, ritëm, kontraste, baraspeshë në sipërfaqe, tingull, lojë e hapësirës me veprën, dhe shtigjet konceptuale të këtij arti tregojnë idenë. Muret e errëta, fluksi i ndriçimit dhe ritmi i objekteve të varura krijojnë një itinerar të kontrolluar të shikimit, vizitori udhëhiqet nga njolla drite , nga vija horizontale e kuqe që lidh dy ansamblet drejt elementeve më intime të punës. Ky trajtim i hapësirës si “kutia e zezë” prodhon një lloj distancimi reflektiv, vizitori hyn brenda një fushë vëmendjeje ku çdo dritë e vogël bëhet ngjarje interpretimi.
Grafika të kornizuara në murin këndor strukturojn një sistem modular ku grafikat e vogla në dimensione dhe mesatare formojnë një rrjet leximi, një fushë imazhesh që mbështjellin një histori fragmentare. Çdo grafikë, me nuancat e saj të gërvishtjeve, etsheve dhe hijeve, sillet si stigma , gjurmë të një procesi vizual , ku ripërsëritja e formatit dhe mbivendosja përforcojnë idenë e kujtesës si palimpsest. Iluminimi i drejtuar krijon pika fokale ku plani i punës del nga errësira, këto njolla drite aktivizojnë lexime metafizike, drita si moment i zbulesës, si indeksi i pranisë. Drita e Prometheut, zjarri i tij, forca e përjetësisë, pra zotësia, çveshja e vlerave dhe vazhdimi i krijimit si shkak pasojë i dritës.
Dritë jep jetë, është përtej artit rrugëtimi i artit drejt dritës ngacmojnë ndjenjnë e krjimit, siç kishte me thënë Friedrich Nietzsche “Froca krijuese është drejt rrugës së shpirtit”. Figuracionet e grafikave figura, skena të brendshme, trupa apo peizazhe të vogla dialogojnë me idenë e personazheve vuajtës që përshkruhen në tekstin origjinal, figura si shpërthime afektive brenda një fushe të mbushur me heshtje.
Murali i madh në letër kraft, i kombinuar me kollazhe skicash dhe një kub druri, funksionon si një peizazh i brendshëm: monumental në shkallë, por intim në mënyrën e ndërtimit. Letra kraft, me strukturën e saj të papërsosmërisë dhe ngjyrën e ngrohtë, shërben si substrat arkivor një fushë e hapur ku përmbajtja realizohet si grafika çizimore dhe si një topografi e mbivendosur e kujtimeve. Linjat e dendura të vizatimit krijojnë një perspektivë që referon më shumë në trup dhe interior sesa në pamjen e jashtme; druri, shtresimet dhe ritmi i gërvishtjeve bëhen tregues të kohës. Elementët e kolazhuar fletë të vogla të ngjitura, skica të pavarura dhe një kuti druri e transformuar në “arkë” prodhojnë efektin e një ekskavacioni: fragmente të ndara të përvojës manifestohet si prova materiale.
Kubi i drurit, i ndriçuar me hijet e forta të dritës, konceptualizohet si hapësira e së fshehtës një vrimë e vogël brenda hapësirës së madhe, ku mblidhen objekte personale dhe fragmente. Ndriçimi i orientuar privilegjon detajet dhe transformon fushën e letrës në një peizazh me ishuj instalativë, duke evidentuar se vepra është dëshmi e procesit shumë shtresa vizatimesh që mbeten si stigma afektive.
Në një lexim fenomenologjik, ekspozita synon të bëjë të dukshme mënyrën se si përvoja konstituon botën e brendshme të subjektit. Përmes marrëdhënieve midis trupit, dritës dhe materialitetit, puna shfaq mënyrat me anë të të cilave vëmendja dhe perceptimi organizojnë, stratifikojnë dhe riformojnë përvojën si kujtesë të ndjeshme. Kutia e zezë, e propozuar si metaforë, funksionon si një dhomë e ndjesisë, ajo që mbetet e fshehtë fuqizon nënkuptime të shumta sapo një nyjë dritë-vëzhgimi e zbërthen atë fshehtësi. Apertura e vëmendjes, pra pika e vogël e dritës që depërton, nuk është thjesht një efekt optik, por një mjet hermeneutik, një vend ku materiali dhe objekti transformohen në dëshmi të procesit dhe ku fragmente memorieje shkrihen me aktin e të përceptuarit. Kjo ngritë pyetje të drejtpërdrejta, çfarë ruhet në arkivat tona personale? Si bëhen ngjarjet gjurmë piktorike, dhe me çfarë mekanizmash transformohen përjetimet në materialitet vizual? Ekspozita paraqet këto gjurmë si prova materiale fragmente të gërmuara dhe të rindërguara që dëshmojnë për mënyrën si koha, gërvishtja dhe shtresa vizive konservojnë afektin. Përtej leximit fenomenologjik, puna mund të kuptohet gjithashtu si një praktikë etike e afërsisë në sensin Camusian siç e citon kuratori Ardian Isufi ecja pranë tjetrit si mënyrë bashkëjetese, jo si udhëheqje, por si ndarje hapësinore ku zbulimi dhe kujtesa ndodhin bashkë. Kjo afërsi etike reflektohet në modalitetet e prezencës së vizitorit, i cili, përballë një njolle drite, bëhet bashkëautor i përvojës vëzhgues dhe aktivizues i kuptimit në të njëjtën kohë.
Ekspozita bashkëvepron me kohën, materialet dhe dritën për të ndërtuar një ekosistem kujtese dhe zbulimi. Alkan Nallbani ndërton një ambient ku procesi vizual është po aq vendimtar sa produkti i përfunduar, çdo grafikë, çdo skicë e ngjitur dhe çdo kuti druri funksionojnë si fragmente të një arkivi subjektiv që ftojnë vizitorin në një lëvizje reflektive për të parë, rikthyer dhe mbajtur mend njollat që shpërthejnë nga errësira.







