Një stuhi e fuqishme dimërore goditi Kaliforninë të mërkurën, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje toke, ndërsa autoritetet urdhëruan evakuime dhe shpallën gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë qarqe.
Stuhia u intensifikua të martën në mbrëmje dhe arriti kulmin në prag të Krishtlindjeve. Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit tha se një burrë i bllokuar në një tub kullues pranë një lumi në veriperëndim të qytetit u shpëtua. Nuk u raportuan lëndime, por burri po trajtohej nga mjekët.
Në të njëjtën kohë, disa rrugë në të gjithë zonën metropolitane u mbyllën për shkak të përmbytjeve, ndërsa pemë të rrëzuara dhe ndërprerje të energjisë u regjistruan në disa vende për shkak të erërave të forta.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli gjendje të jashtëzakonshme për qarqet Los Anxhelos, Orange, Riverside, San Bernardino, San Diego dhe Shasta për të aktivizuar mekanizmat e mbrojtjes civile dhe për të avancuar burimet dhe personelin.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se “lumenj atmosferikë” të njëpasnjëshëm – breza të ngushtë por jashtëzakonisht të lagësht avujsh uji që lëvizin nga Paqësori – do të përshkojnë shtetin, duke rritur rrezikun e përmbytjeve të menjëhershme dhe rrëshqitjeve të dheut gjatë një prej stinëve më të ngarkuara të vitit.
Zonat e djegura nga zjarret e fundit janë shqetësuese, pasi toka mbetet e paqëndrueshme. Urdhra evakuimi u lëshuan në disa pjesë të qarqeve të Los Angeles dhe Orange, teksa autoritetet thanë se rreth 380 shtëpi konsideroheshin veçanërisht të rrezikshme.
Shefi i Policisë së Los Angeles, Jim McDonnell, u bëri thirrje banorëve të zbatojnë udhëzimet, duke paralajmëruar se “kërcënimi është real dhe i afërt”. Sherifi i Qarkut Robert Luna i bëri jehonë paralajmërimit, duke thënë se evakuimi mund të bëhet i pamundur ndërsa stuhia intensifikohet.
Sipas meteorologëve, shpërthimet e erës tejkaluan 95 km/orë në disa pjesë të Los Angelesit, duke shkaktuar rrëzimin e pemëve dhe shtyllave të energjisë. Autoritetet instaluan barriera të posaçme mbrojtëse në zonat me toka të djegura dhe shpërndanë thasë rëre falas për banorët.
Banorët, si Claire Hamano në Malibu, shprehën frikën e rrëshqitjeve të dheut, ndërsa të tjerë thanë se, pavarësisht rekomandimeve për evakuim, ata zgjodhën të qëndronin në shtëpitë e tyre. “Ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë”, tha një banor i një zone që u godit nga zjarri i madh në janar.
Autoritetet paralajmërojnë për mbyllje të shumta rrugësh dhe vonesa në aeroporte, ndërsa Garda Kombëtare e Kalifornisë është vënë në gatishmëri. Shteti tashmë ka vendosur forca dhe pajisje shtesë në zonat bregdetare dhe jugore, pasi parashikimet tregojnë se fenomeni mund të vazhdojë, megjithëse me më pak intensitet, në orët në vijim.







