Ballina Politika Belind Këlliçi shpërthen ndaj Bollinos: Presioni dhe kërcënimet ndaj opozitës nuk funksionojnë...

Belind Këlliçi shpërthen ndaj Bollinos: Presioni dhe kërcënimet ndaj opozitës nuk funksionojnë më

34
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të gazetarit Carlo Bollino, duke i cilësuar ato si insinuata pa prova dhe përpjekje për presion ndaj debatit publik dhe opozitës.

Në një reagim publik, Këlliçi thekson se në një debat serioz publik ‘presioni nuk zëvendëson provën dhe insinuimi nuk zëvendëson përgjegjësinë’, duke akuzuar Bollinon se nuk ka paraqitur fakte, por vetëm një ‘monolog vetëjustifikues’, ku sipas tij, ndërrohen role mes gazetarit, biznesmenit dhe kërcënuesit.

Sipas deputetit demokrat, kërcënimi me kallëzime në SPAK ndaj një deputeti për qëndrime politike përbën presion të hapur ndaj fjalës së lirë dhe debatit demokratik, dhe jo mbrojtje të interesit publik.

Këlliçi kritikon ashpër edhe atë që e quan ‘model anti-gazetarie’, duke akuzuar për ndërhyrje informale në administratën publike, përfitime nga toka publike në shkelje të ligjit dhe përdorimin e medias si mjet presioni politik.

‘Politika nuk ka nevojë për roje privilegjesh të veshur si gazetarë, por për institucione të forta dhe media të lirë’, deklaron Këlliçi, duke shtuar se presioni dhe frika nuk janë më instrumente funksionale për të mbajtur pushtetin.

Reagimi i deputetit të PD, Belind Këlliçi:

Në një debat publik serioz, presioni nuk zëvendëson provën dhe insinuimi nuk zëvendëson përgjegjësinë!

Z. Bolino nuk më është përgjigjur me fakte, por me një monolog vetëjustifikues ku me ngut e shqetësim herë shkruan si gazetar, here si biznesmen dhe herë si kërcënues. Dhe gjatë ndërrimit të shpejtë të këtyre kostumeve i merret edhe fryma edhe mendtë.

Insinuimi pa prova dhe kërcënimi me SPAK ndaj një deputeti për qendrime politike, janë presion ndaj debatit publik, jo mbrojtje e fjalës së lirë dhe interesit publik.

Nga pikëpamja etike, dy mësime të vogla gazetarit ‘investigativ’ për punët e opozitës në autoritarizëm po ia jap unë:

ndërhyrja informale në administratë publike nuk zhbëhet duke e cilësuar ‘ndihmë për mik’. Kjo nuk është gazetari investigative, por ankth ndaj humbjes së autoritetit dhe privilegjeve si KarloMedia.

Unë nuk shqetësohem nga fyerjet. As nga presionet e aq më pak të Karlos. Madje po ia kujtoj se s’kam llogaritur pagatorët dhe shefat e tij (Ramën, Ballukun, Veliajn, etj.,) e jo më ushtarët e tyre!

Madje e inkurajoj Karlon të bëjë padi të re në SPAK ndaj meje, se kur kam fituar 11 të tilla deri tani në GJKKO, le të bëhen një duzinë, për të ngushëlluar dhimbjen Karlo.

Unë indinjohem nga tjetër gjë, nga normalizimi i një modeli anti-gazetari që ndërhyn në administratë, merr tokë publike në shkelje ligji, përdor median për privilegje nga pushteti, për të kërcënuar çdo zë opozitar dhe ‘u ngul’ dhëmbët e presionit të rinjve (jo vetëm në moshë), që hyjnë të bëjnë ndryshimin në politikë, intelektualë, ekspertë a idealistë qofshin.

Politika nuk ka nevojë për roje privilegjesh të veshur si gazetarë, por për institucione të forta dhe media të lirë. Nëse Karlo mendon se presioni, insinuimi apo frika janë mënyra për të mbajtur pushtetin, gabon rëndë epokën.

Shqipëria ka hyrë në një fazë ku autoriteti as trashëgohet e as imponohet, por fitohet e justifikohet me standard, ligj dhe etikë. Dhe këtu është vija ndarëse mes një modeli që jeton nga mercenarizmi dhe një politike që ndërtohet mbi transparencën.

Unë zgjedh këtë të dytën, e vetmja që i bën nder shtetit dhe brezit që vjen.