Ballina Bota Dënohet sërish ish-kryeministri i Malajzisë, shuma marramendëse që vodhi

Dënohet sërish ish-kryeministri i Malajzisë, shuma marramendëse që vodhi

31
0

Ish-kryeministri i Malajzisë, Najib Razak, është shpallur fajtor për të dytën herë brenda pak viteve, në atë që konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha financiare në botë.

Gjykata e shpalli atë fajtor për abuzim me pushtetin dhe pastrim parash, duke i dhënë një goditje të rëndë 72-vjeçarit, i cili ndodhet në burg prej vitit 2022.

Najib Razak akuzohet se ka vjedhur rreth 570 milionë dollarë nga fondi shtetëror i investimeve, i njohur si “1MDB”. Ky fond ishte krijuar për të ndihmuar zhvillimin e vendit, por hetuesit zbuluan se miliarda dollarë përfunduan në xhepat e politikanëve dhe personave të tjerë të fuqishëm.

Gjykatësi e shpalli atë fajtor për katër akuza për abuzim me detyrën dhe 21 akuza për pastrim parash. Vendimi për dënimin e ri pritet të jepet së shpejti, ndërkohë që ai po vuan aktualisht një dënim tjetër prej 6 vitesh burg.

Gjatë gjyqit, ish-kryeministri u mbrojt duke thënë se paratë që kishte në llogarinë e tij private ishin një “dhuratë” nga mbreti i Arabisë Saudite.

Megjithatë, gjykata nuk e besoi këtë version, duke e cilësuar si një tentativë për të fshehur vjedhjen.

Skandali i fondit “1MDB” bëri bujë në mbarë botën pasi u zbulua se paratë e vjedhura u përdorën për të blerë prona luksoze, jahte, dhe madje për të financuar filma të famshëm në Hollywood. Hetuesit llogarisin se në total nga ky fond janë zhdukur rreth 4.5 miliardë dollarë.

Ky vendim u prit me reagime të shumta. Ish-deputeti Tony Pua tha për BBC se ky dënim dërgon një mesazh të qartë për të gjithë udhëheqësit.

Edhe bashkëshortja e ish-kryeministrit, Rosmah Mansor, është dënuar më parë me 10 vite burg për ryshfet, por aktualisht është e lirë me kusht deri në përfundim të apelit.