“Arka e pensioneve” është në ditët më të mira sa i takon mbledhjes së kontributeve nga të gjithë të punësuarit në vend,
Viti 2025 ka pasur një performancë pozitive sa i takon furnizimi të skemës së pensioneve, pasi të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kanë pësuar rritje të ndjeshme.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se për periudhën Janar-Nëntor 2025, janë arkëtuar afro 163.4 miliardë lekë, apo rreth 1.7 miliardë euro, detyrime të derdhura nga punonjësit në sektorin publik dhe privat në Shqipëri për sigurime shoqërore dhe shëndetësore.
Në raport me një vit më parë, “buxheti i pensioneve” ka përfituar 168 milionë euro ose 11.4% më shumë se periudha e viti 2024, si dhe me realizim prej 100.5% të planit të periudhës.
Nga ana tjetër kjo shifër është rekord në dekadën e fundit, duke u rritur me mbi 150% në raport me vitin 2015.
Skema e pensioneve po përfiton nga zgjerimi i bazës së kontribuesve dhe rritja e pagave, duke reflektuar një përmirësim të mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Sipas të dhënave zyrtare, Administrata Tatimore mbledh rreth 96% të totalit të të ardhurave nga kontributet, një tregues i forcimit të administrimit tatimor dhe formalizimit të tregut të punës.
Rritja e të ardhurave nga kontributet mbështetet kryesisht në rritjen e pagave në administratën publike, e shoqëruar me zgjerimin e fondit të pagave edhe në sektorin privat, si dhe në masat e ndërmarra në kuadër të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit për vitin 2025, të orientuara drejt mirëadministrimit tatimor dhe aksioneve ndaj nëndeklarimit të pagave si dhe vendosja e pagave të referencës në sektorin e turizmit dhe së fundmi edhe në ndërtim.
Të dhënat nga listëpagesat e deklaruara në Administratën Tatimore për 9-mujorin e vitit 2025 tregojnë një rritje të dukshme të numrit të kontribuesve. Gjatë kësaj periudhe rezultojnë rreth 751,520 tatimpagues të regjistruar në listëpagesa, apo 12,616 kontribues më shumë, ose 1.7% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Por ndërsa të ardhurat në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore janë rritur, paralelisht në të njëjtin nivel janë rritur dhe shpenzimet në skemë.
Pagesa minimale për kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për individ është rreth 11 mijë lekë në mua, ndërsa nga 1 Janari 2026 dhe në vijim, me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi në 50 mijë lekë, prarashikohet edhe rritje e të ardhurave nga kontributet.
Aktualisht, me konsulencën e Bankës Botërore, qeveria shqiptare po përgatit një reformë të re të mbrojtës sociale, me qëllim rritjen e mëtejshme të mbështetjes për këto kategori, si edhe sigurimit të një raporti sa më të drejtë mes nivelit të kontributeve dhe përfitimeve në skemën e pensioneve. Synimi i qeverisë është që në katër vite, pensioni mesatar në Shqipëri të arrijë nivelin e 400 eurove.







