Ballina Aktualitet Amnistia penale, ministri i Drejtësisë: Ja kategoritë që përfitojnë dhe numri i...

Amnistia penale, ministri i Drejtësisë: Ja kategoritë që përfitojnë dhe numri i atyre që lirohen nga burgu

23
0

Qeveria shqiptare pritet të miratojë një amnisti penale. Nismën e ka komunikuar Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari përmes një video-mesazhi, ku zbulon edhe detaje nga kategoritë që përfitojnë dhe sa është numri.

“Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, thotë Ministri i Drejtësisë. Sipas tij në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore

Më tej Lamallari thekson edhe ata që nuk përfitojnë nga amnistia.

“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO. Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, shprehet Lamallari duke theksuar se kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre.

“Ne besojmë në një drejtësi të drejtë, jo për statistikë dhe as në kurriz të të pamundurve, një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin, dhe që në frymë dhe shpirt udhëhiqet nga standarde të panegociueshme demokratike europiane”, thotë ministri Lamallari.