Ballina Ekonomia Çmim reference për mallrat në doganë, ekspertët: Rriten kostot për qytetarët

Çmim reference për mallrat në doganë, ekspertët: Rriten kostot për qytetarët

17
0

Qeveria ka ndryshuar rregullat për mënyrën se si doganat do të llogarisin vlerën e mallrave dhe automjeteve që futen në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Financave, synohet që doganat të përdorin burime të përditësuara ndërkombëtare për çmimet e karburanteve, metaleve, ushqimeve dhe automjeteve, me qëllim shmangien e deklarimeve me vlera më të ulëta se ato reale. Megjithatë, kjo pritet të sjellë një kosto më të lartë për xhepat e qytetarëve.

“Ministria e Financave ka paralajmëruar se nuk bëhet fjalë vetëm për automjete të reja, por edhe për ato të përdorura, deri në 10 vite vjetërsie, që importohen në Shqipëri, kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian. Jam dakord që të ketë çmime reference, por nuk mundet që pak ditë para Vitit të Ri të ndryshohen rregullat e lojës, të rriten taksat dhe të krijohen probleme serioze për importuesit e automjeteve,” shprehet Mateo Spaho.

 “Vendosja e çmimeve të referencës cenon drejtpërdrejt parimin bazë të ekonomisë së tregut dhe të drejtën kontraktore. Çmimi duhet të përcaktohet nga palët dhe jo nga administrata. Kur një kontratë ndërkombëtare ka një çmim të fiksuar, ndërhyrja e doganës nuk e ndryshon kontratën, por deformon efektet e saj, duke rritur barrën fiskale që në fund bie mbi klientin final dhe çdo qytetar shqiptar”, tha Edvin Prençe, njohës i tregtisë së jashtme

Sipas ekspertëve, këto ndryshime mund të cenojnë drejtpërdrejt kontratat që importuesit shqiptarë kanë nënshkruar me furnitorët e tyre, duke sjellë çrregullime në treg.

“Nëse marrëveshjet kanë çmime të tjera, taksat shqiptare do të vendosen mbi një çmim reference. E kuptoj që ka raste kur faturat janë fiktive dhe në këto raste është normale të përdoren çmime reference. Por tjetër gjë është lufta kundër informalitetit dhe tjetër gjë është rritja e taksave përmes çmimeve reference”, shtoi Spaho.

“Edhe pse importuesit kanë çmime të negociuara me furnitorët dhe kontrata të formalizuara, kjo skemë pritet të çojë në rritje të kostove dhe në një barrë të shtuar për klientin final. Çmimet e referencës mund të ndihmojnë në luftën kundër abuzimeve, por nëse zëvendësojnë kontratën reale, ato kthehen në burim pasigurie, informaliteti dhe dekurajimi të investimeve”, theksoi Prençe.

Çmimet e referencës vendosen në një kohë kur Shqipëria po rrit gjithnjë e më shumë varësinë nga importet, çka e bën ndikimin e këtyre ndryshimeve edhe më të ndjeshëm për tregun vendas./vizionplus.tv