Fundi i vitit shoqërohet me fenomenin e rritjes së çmimeve ushqimore në treg. Produktet e shportës, si mielli, makaronat, orizi dhe sheqeri, duket se kanë një qëndrueshmëri në çmime, por ato blegtorale mish, kos, qumësht, vezë etj. konsiderohen të shtrenjta. Theodhori Kristuli nga Unioni Agroushqimor thotë se produktet që vijnë nga importi kanë çmime të drejta, ndërsa problemi kryesor lidhet me produktet vendase.
“Çmimet e produkteve të bulmetit janë rrjedhojë e një situate që ne e kemi paralajmëruar 2–3 vite më parë. Vëmendja ndaj këtij sektori është në nivele minimale. Fshati po braktiset. Ndaj mund të themi pa frikë se është përgjysmuar prodhimi vendas blegtoral. Ne sot po konkurohemi nga qumështi i Serbisë dhe i Maqedonisë. Blegtori shqiptar është nënvlerësuar” – tha Kristuli gjatë një interviste në Vizion Plus.
Sipas tij, viti 2026 nuk duket shumë optimist, pasi politikat mbështetëse mbeten të njëjta.
“Ne kemi sektorë si turizmi që kërkojnë më shumë prodhim bujqësor, por këto nevoja po mbulohen nga importi. Besoj se edhe viti që po vjen do të jetë i vështirë në këtë drejtim, pasi politikat mbështetëse janë po njësoj. Për shembull, në Kosovë apo Maqedoni një blegtor subvencionohet me 2 000 lekë për krerë, ndërsa në Shqipëri një blegtor subvencionohet me 1 200 lekë për një lopë. Fermeri shqiptar nuk është konkurrues.”
Por tregu vendas konsiderohet i vogël dhe i përqendruar në pak kompani, çka do të thotë se jemi të destinuar të paguajmë shtrenjtë çmimet e ushqimeve.







