Një pikë e “voçkël” në Gjirin e Llamanit, me sipërfaqe 101.200 metra katrorë, do të betonohet. VoxNews ka siguruar ekskluzivisht dokumentet e projektit, i cili po zhvillohet nga dy biznesmenët Arben Muçobega dhe Redjan Basha. Me veprime dhe dokumente tepër të dyshimta, duke qenë se zona është tërësisht shkëmbore, ata kanë arritur që të bindin qeverinë dhe veçanërisht ish-ministren e Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila ka firmosur edhe lejen e zhvillimit.
Prej shumë vitesh, biznesmeni Arben Muçobega vijon që të shfrytëzojë të gjithë Gjirin e Llamanit, duke ngritur lokale dhe restorante luksoze, në një nga gjiret më të bukura të detit Jon, midis Himarës dhe Porto Palermos. Muçobega ka marrë vazhdimisht leje për shfrytëzimin e plazhit, ndërkohë që ka publikuar edhe projekte që e shndërrojnë të gjithë zonën e Llamanit në një resort personal, pa asnjë dalje në det për qytetarët e thjeshtë.
Ndërkohë, krahas këtij projekti, Muçobega ia vuri syrin edhe kodrës ngjitur me Gjirin e Llamanit. Është një kodër shkëmbore, normalisht që s’duhet të kishte pronar pasi është e pashfrytëzueshme dhe tërësisht në afërsi dhe pjerrësi të madhe drejt detit Jon. Por, si në çdo vend të bukur, ndoshta edhe asaj zone shkëmbore i ka dalë pronari si “tokë buke e gjyshit”.



Koha kaloi dhe, duke qenë se i gjithë bregdeti i jugut po mbushet me resorte, Muçobega ka përgatitur me shpejtësi dokumentet për të marrë atë pikën e “voçkël”. VoxNews ka siguruar ekskluzivisht dhjetëra dokumente të projektit që po shkatërron një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, ku detajohet se jo pikë ka një sipërfaqe plot 101.200 metra katrorë.
Leja e zhvillimit u firmos me shpejtësi para zgjedhjeve të fundit parlamentare, madje nga Mirela Kumbaro, ministrja e Mjedisit e cila i njeh mirë këto pika të “voçkla”. Me një vendim të beftë dhe me një prapaskenë të llahtarshme, duke qenë se ajo zonë u la qellimisht jashtë zonës së mbrojtur, Kumbaro ka firmosur një tjetër dokument tjetërsimi e shkatërrimi, pas Gjirit të Manastirit në Sarandë.


Kush janë përfituesit e kësaj leje? Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, qeveria ka miratuar lejen e zhvillimit për projektin “Amantes”, në Bashkinë Himarë, një “resort multifunksional, hotel, vila dhe shërbime me subjekt ndërtues shoqëritë ‘Capital B’ dhe ‘Bega 07’”.
Kompania Capital B ka si pronar z. Redjan Basha, ndërkohë që firma Bega 07 ka si pronar biznesmenin tepër të kaluar Arben Muçobega, i akuzuar edhe nga eksponentë të opozitës për lidhje të dyshimta, qoftë me botën e krimit ashtu edhe me politikën.


Në dokumentet që ka hulumtuar VoxNews shkruhet se projekti “Amantes” është vlerësuar dhe trajtuar duke marrë në konsideratë të gjithë aspektet si ato strategjike, ndërtimore, sociale, ekonomike dhe mjedisore. “Projekti i resortit me 5 yje ‘Amentes’ do të zhvillohet në zonën e plazhit të Llamanit, në kufi me plazhin e Himarës, në Bashkinë Himarë,e cila ndodhet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë” thuhet në lejen e zhvillimit.
Sipas saj, resorti “Amantes” shtrihet në kodrën përbri plazhit të Llamanit. “Sheshi i ndërtimit të resortit ka një sipërfaqe prej 101.200 metra katrorë me dalje të drejtpërdrejtë në plazhin shkëmbor të detit Jon, duke ofruar një pamje mahnitëse të detit për të gjithë pushuesit dhe vizitorët e resortit” shkruhet në këtë leje.

Më tej vijon me fjali klishe, të tipit “projekti në fjalë zotohet të ruajë dhe respektojë zonën e zhvillimit të tij, duke marrë në konsideratë të gjithë elementët natyrore të zonës”.
“Peisazhi ekzistues ka një topografi të pjerrët që shtrihet nga maja e kodrës në det, duke ofruar shtigje dhe pamje mbresëlënëse. Duke ndërprerë shkallën e ndërhyrjes, natyra mund të përshkoj arkitekturën dhe të integrohet me të. Si rezultat i kësaj zgjidhje funksionale arkitektura dhe natyra bëhen një”, vijon dokumenti.
Në dokumente shkruhet se prona aktualisht është bosh dhe e pashfrytëzuar, por në pjesën më të ulët të saj, në afërsi të plazhit të Llamanit, ndodhen disa objekte të ulta kryesisht 2-3 kate. Këto objekte janë ndërtime që i shërbejnë funksionit të turizmit bregdetar veror.
VoxNews ka mësuar se Arben Muçobega ka bërë të gjitha ndërtimet në atë zonë, duke e kthyer Gjirin e Llamanit në një pronë private. Madje, ai merr leje lehtësisht nga institucionet shtetërore, si leje plazhi apo vendosje strukturash, dhe më pas ua shet këto leje firmave të tjerë.
“Të gjitha ndërtimet që ndodhen në zonë janë bërë pas vitit 2000. Deri në atë periudhë, jo vetëm prona, por e gjithë zonë e përfshirë këtu dhe vijën bregdetare ishte e pa ndërtuar”, shkruhet në dokument.

Mësohet se në atë resort do të bëhet hotel luksoz, vila, apartamente dhe zona e ndërmjetme komerciale, përfshirë restorantet, hapësirat e mirëqenies dhe zonat e komunitetit që përmirësojnë përvojën turistike.
“Qëllimi i projektit është krijimi i hapësirave akomodues për banim dhe hoteleri, duke krijuar ndjesinë e një lokaliteti ftues. Për këtë përgjatë kodrës janë pikasur disa pozicione të cilat do të ofrojnë shërbime të ndryshme dhe do të funksionojnë si zona për bashkimin e komunitetit, socializimin, shpenzimin e një kohe cilësore”, vijon dokumenti.
Më tej shkruan se vilat ndjekin një koncept “stackingstone”, i projektuar për të minimizuar gërmimet dhe për të ruajtur topografinë e kodrës. “Masterplani parashikon 50 vila të shpërndara në terren në grupime 2 apo 3 vilash. Të gjitha këto grupime përfshijnë 1 vilë të madhe (apo 2 vila të mëdha në rastin e grupimeve 3-she) dhe 1 vilë të vogël” thuhet në dokument.

Në korrik të vitit 2022, qeveria mori një vendim për shpallen e ekosistemit natyror detar-bregdetar të gjirit të Porto – Palermos. Në vendim përcaktohet se parku natyror ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.694 hektarësh, nga të cilat 1.490 hektarë ose 87.93 % janë sipërfaqe detare dhe vetëm 204 hektarë ose 12.07 % janë sipërfaqe tokësore.
Nëse do të shikosh edhe hartën, zona tokësore është vetëm ajo zallishte dhe disa shkëmbinj, gjithashtu edhe kalaja që ndodhet në atë zonë, në një ishull të vogël. Me këtë vendim u la jashtë zonës së mbrojtur e gjithë pjesa tjetër tokësore, që praktikisht është Porto Palermo apo edhe Gjiri i Llamanit. Vendim që hapi edhe rrugën e ndërtimeve apo tjetërsimit të të gjithë zonës. Një skemë e përdorur edhe në vende të tjera, tepër të mbrojtura, kjo me qëllim lejimin e ndërtimeve dhe betonit.
Është bërë një studim nga vetë Ministria e Mjedisit, e cila përfshinte në park edhe Gjirin e Llamanit, por edhe një sipërfaqe të stërmadhe toke në Porto Palermo. Me apo pa dashje, ashtu si Gjiri i Llamanit, edhe ish-baza ushtarake e Porto Palermos, poshtë të cilës ndodhen edhe tunelet nënujore ku qëndronte flota ujore ushtarake, janë lënë jashtë parkut. Kjo me qëllim ndërtimin e resorteve në atë zonë.
Duket sërish një vendim tepër i diskutueshëm, pas ish-bazave ushtarake në Sarandë dhe Shëngjin, tjetërsimi i të cilave nga Ministria e Mbrojtjes është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. A do të ketë të njëjtin fat edhe ky vendim i ministres Kumbaro?!/VOX NEWS







