Ballina Dossier Si Enver Hoxha nuk lejoi Mediha Frashërin të takonte vajzën e saj...

Si Enver Hoxha nuk lejoi Mediha Frashërin të takonte vajzën e saj pas 30 vitesh të ndara. Letra origjinale

26
0

Në pranverën e vitit 1964, një grua e moshuar, e lodhur nga vitet dhe nga humbjet, u ul për të shkruar një letër që nuk ishte as ankesë dhe as kërkesë zyrtare, por një përpjekje e fundit njerëzore për t’u dëgjuar. Mediha Frashëri ishte në atë kohë 72 vjeçe. E veja e profesorit Refat Frashëri dhe nëna e Vedat Frashërit, dëshmor i Luftës Nacional-Çlirimtare, ajo i drejtohej Enver Hoxhës jo si një figurë politike, por si një nënë tjetër, me shpresën se përtej pushtetit mund të gjendej ende një grimcë mëshire.

E mbetur pa shtëpi, e strehuar prej vitesh në shtëpinë e piktorit Sali Shijaku, ajo jetonte me vajzën e saj shurdh-memece, duke e ndarë jetën mes varfërisë, plakjes dhe një dhimbjeje që nuk kishte zë. Ndërkohë, vajza e madhe jetonte prej tridhjetë vitesh në Stamboll, larg nënës dhe larg vendit, dhe dëshira për ta parë qoftë edhe një herë të fundit ishte kthyer në një nevojë ekzistenciale për dhimbjen e saj.

Kërkesa për të udhëtuar drejt Turqisë nuk u refuzua menjëherë. Përkundrazi, ajo ndoqi rrugën formale institucionale të kohës dhe, sipas dokumenteve arkivore, u shqyrtua fillimisht nga organet kompetente të shtetit. Ministria e Punëve të Brendshme zhvilloi verifikimet përkatëse dhe, pas përfundimit të tyre, dha mendim pozitiv për lejimin e udhëtimit të Mediha Frashërit si turiste në Turqi. Ky miratim iu komunikua edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, çka nënkuptonte se procedura konsiderohej e mbyllur dhe se udhëtimi ishte lejuar zyrtarisht.

Por procesi mori një kthesë të menjëhershme në momentin kur u konstatua se Mediha Frashëri i ishte drejtuar paralelisht me letër personale edhe Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxhës. Fakti që ministria kishte njoftuar të interesuarën për miratimin e lejes pa u shprehur më parë Sekretari i Parë u konsiderua një shkelje proceduriale.

Megjithëse ky gabim u njoh, vendimi nuk u korrigjua në favor të Mediha Frashërit. Përkundrazi, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, leja e udhëtimit e dhënë më parë u anulua, duke e kthyer një proces administrativ të përfunduar në një akt refuzimi politik dhe personal.

Kështu, një kërkesë e miratuar nga institucionet e shtetit u rrëzua jo mbi bazë rreziku, shkeljeje apo kundërshtimi ligjor, por thjesht sepse diktatorit nuk iu duk e arsyeshme që Mediha Frashëri të udhëtonte drejt Stambollit për të takuar vajzën e saj pas 30 vitesh të ndara.

Teksti i plotë i letrës:

I shtrenjti bir i ynë Enver,

Unë që po të shkruaj këtë letër jam e veja e Prof. Refat Frashërit, patriot i Rilindjes dhe nëna e Vedat Frashërit, dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare. Jam plakë 72 vjeçe, quhem Mediha, jetoj me vajzën 36 vjeçe fatkeqe, se është e shurdhër dhe memece. I falënderohemi shumë dhe i jemi mirënjohëse thellësisht Partisë që ka vlerësuar meritat patriotike të tim shoqi dhe djalit tim të vetëm dhe të dyja ne marrim pensionin e tyre; e rrojmë shumë mirë, se i gjalli i do të gjitha.

Mirëpo, ç’më shtyn mua, o bir, që të vij gjer tek Ju me këtë letër.

Neve s’kemi shtëpi. Këto 7–8 vitet e fundit na ka mbajtur për miqësi nëna e Sali Shijakut në një dhomë në shtëpinë e tyre. Na vjen rëndë që ua kemi zënë shtëpinë të tjerëve. Kemi bërë lutje në Komitetin Ekzekutiv Kryetarit që të na japë edhe neve një dhomë e kuzhinë në shtëpitë e shumta që ka bërë shteti, po për fat të keq s’po na i vënë veshin fare. Unë jam plakë me një këmbë në varr, një përmbi varr, vetëm më vjen keq për këtë çupë fatkeqe.

E dyta, kam çupën e madhe që jeton në Stamboll prej 30 vjetësh, se unë jam me prejardhje turke. Çupa na ka kërkuar mysafir në Stamboll, se na ka marrë malli. Bëra lutjen në Ministri dhe më lajmëruan që nuk mund të shkoj në Stamboll mysafire si shumë të tjerë. Pse të mos lejohem unë sa të shoh time bijë e të kthehem prapë në Shqipëri, në vatanin tonë, ku më kanë rënë kockat e burrit tim të mirë dhe kockat e djalit tim të vetëm, që më ka përvëluar shpirtin.

Unë, o bir, kimetli i të gjitha nënave, pres përgjigjen tënde.

Të përqafoj me dashuri të madhe.

Tiranë, më 29.III.1964

Mediha Refat Frashëri/vna

Si Enver Hoxha nuk lejoi Mediha Frashërin të takonte vajzën e saj

Si Enver Hoxha nuk lejoi Mediha Frashërin të takonte vajzën e saj