Ballina Opinion AKShI dje, sot e nesër si dhe shteti i sigurt

AKShI dje, sot e nesër si dhe shteti i sigurt

21
0

Nga Genc Pollo

Në vitet 2009-2013, si ministër për Teknologjinë e Informacionit, kam patur në varësi AKShI-n (Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit). Synimi kryesor i yni ishte kompjuterizimi i të gjitha sistemeve shtetërore nga Shëndetësia tek Transporti dhe ofrimin online (në internet) të shërbimeve ekzistuese për përdoruesit.

Detyrë funksionale e AKShI-t ishte krijimi i një infrastrukture qëndrore të sistemeve digjitale mbi të cilën do të mbështeteshin sistemet digjitale të çdo ministrie; këto të fundit ishin nga bazat e të dhënave deri tek aplikacionet për ofrimim e shërbimeve për publikun apo institucionet shtetërore.

Me një grant të Bashkimit Europian AKShi prokuroi dhe ndërtoi këtë infrastukturë të quajtur “Electronic Service Bus” dhe mbi këtë bazë në verë 2013 u ofruan tre aplikacionet e para për përdoruesit. Njëri syresh ishte regjistrimi online i maturantëve të atij viti në provimet e Maturës Shtetërore.

Aty u konceptua edhe platforma inovative, e avancuar po t’a krahasoje me vendet e rajonit apo të BE-së, e cila u quajt më vonë E-Albania. Sot numri i shërbimeve në këtë aplikacionin kuadër ka arritur afro 400 duke lehtësuar marrëdhënien shtet/qytetar e shtet/biznes.

Pra vetë AKShI realizonte një numër të kufizuar por esencial prokurimesh ndërsa masa e madhe e blerjeve të sistemeve dhe të programve kompjuterikë (software) kryhej nga ministritë, agjencitë në vartësi të tyre dhe pushteti vendor.

Roli i AKShI-t ishte që të tëra këto produkte të blera të kishin standartet teknike të nevojshme dhe të mundësonin ndërveprimin mes tyre. Për këtë qëllim AKShI, bazuar në standartet e IEEE (Institute of Electrical and Electronics Engineers), një institut me seli në New York që shërben si referencë botërore, përpunonte standartet të cilat aprovoheshin me vendim të Këshillit të Ministrave dhe bëheshin kështu të detyrueshëm për çdo prokurim publik.

Ndërkohë që ministritë e bashkitë ishin vetë përgjegjës për procedurën prokuruese. Por tenderi shpallej i hapur nga Agjencia e Prokurimit Publik vetëm pasi AKShi konfirmonte se standartet në dokumentat e tenderit përputheshin me ato zyrtare të aprovuara me VKM. Kjo skemë veprimi reflektonte ndarjen e përgjegjësive dhe kontrollet e balancën mes aktorëve shtetërorë.

Njëlloj siç kanë postuluar, në një koncept më të gjerë për shtetin, filozofi iluminist frëng Montesquieu apo James Madison, një nga etërit e kushtetutës së ShBA me synim shmangien e përqëndrimit të pushtetit apo, siç shpreheshin ata, të tiranisë. Kjo skemë prokurimi mund të mos e përjashtonte 100% abuzimin por në tërësi ishte funksionale dhe rastet abuzive ishin përjashtimore dhe kollaj të gjetshme e të korrigjueshme.

Në dy vitet e para të qeverisë Rama kjo skemë ndryshoi dhe AKShI-t iu dhanë me ligj edhe kompetenca për të bërë vetë të tëra prokurimet e sistemeve digjitale të shtetit; që nga konceptimi “me këshillën e ministrive” deri të operimi e mirëmbajtja. I gjithë ky pushtet në dorën e vetme të zonjës MK, drejtoreshës së AKShI-t, (më jetëgjata në qeverinë Rama, e cila prej 12 ditësh ndodhet në arrest shtëpie dhe ende nuk dorëhiqet/shkarkohet dhe zëvendësohet) dhe rrethit të saj që çoi në pasoja të njohura e të mirëshpjeguara konceptualisht nga francezi dhe amerikani i sipërcituar.

Në rastin AKShI kemi konkretisht:

1- meqë standartet e sistemeve digjitale, përfshi edhe ato të sigurisë, përcaktoheshin me rregullin “vetë firmos, vetë vulos” ato degraduan; kjo solli si pasojë hakerimin e jashtëm apo edhe abuzimin e brendshëm të sitemeve digjitale që strehonin bazat e të dhënave. Mjafton të kujtojmë se si rrodhën në publik pagat e dynjasë apo sa shpesh sulmet kibernetike bllokojnë E-Albania-n përfshi edhe sot kur po shkruaj këto radhë.

2-Meqë tenderat ishin në një dorë dhe buxheti ishte stërmadh u bë normë që një sistem i cili në treg ofrohej p.sh. për një milion euro do të kontraktohej nga AKShI për 5 ose 9 milionë euro. Kjo nuk ka nevojë për sqarim e për shembuj se aktualisht mediat janë plot me to.

3-Meqë ndodhi përqëndrimi në vetëm një dorë i sistemeve digjitale (baza të dhënash) që u përkisinin ministrive e institucioneve të ndryshme për më tepër në një dorë që ka akses operacional në këto sisteme atëhere abuzimi merr përmasa e pasoja të frikshme. Një shëmbull është databaza e patronazhistëve me keqpërdorimin e të dhënave personale të zgjedhësve. Hetimi po nxjerr raste kur aksesin në sisteme e kanë marrë përmes AKShI-t edhe grupe mafioze që aksesojnë ose edhe manipulojnë Thesarin e Kadastrën për interesa biznesi apo për të goditur politikanë apo banda rivale. Dikush mund të mendojë se kur një parti dhe shefi i saj ka pushtet të plotë nuk ka rëndësi arkitektura e administrimi i këtyre sistemeve. Praktika dëften tjetër gjë: sistemi i kufirit TIMS është konceptuar më vete (stand-alone), administrohet nga Policia e Shtetit dhe nuk aneksohej dot nga AKShI. Në vitin 2023 zyrtarët banditë vajtën me usb në dorë për të vjedhur të dhënat por dështuan sepse disa zyrtarë të ndershëm e kurajozë reaguan. Tek AKShI

E marr me mend që mund të tingëllojë si jo prioritare por megjithatë është fort e rëndësishme që një qeveri e ardhshme të angazhohet të normalizoje AKShI-n dhe databazat shtetërore. Jo thjesht duke pastruar personelin nga banditët e motrat e tyre; por duke restauruar legjislacionin dhe institucionet në frymën e Montesquieu-së dhe Madisonit.

Në të shkuarën kur regjistrat ishin përgjithësisht prej letre ky rast do të radhitej në kronikën e zezë të korrupsionit e kriminalitetit në ofiq dhe kaq. Sot jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën digjitalizimi i sistemeve shtetërore ndërkohë që ka rritur pamasë efektivitetin e punës njëkohësisht ka krijuar edhe pika të dobëta apo vulnerabilitet ndaj aktorëve kriminalë e armiqësorë.

Rasti më i keq sipas literaturës është kur sistemet organizohen në një mënyrë që ofron difektin në një pikë të vetme (single point of failure, SPOF). Pikërisht këtë duket se ka bërë qeveria Rama dhe AKShI. Duke lënë informacionet shtetërore e të dhënat personale në mëshirën e bandave si ajo e Gysit dhe të hakeruesve nga Irani e gjetkë. Prandaj korrigjimi i ardhshëm nuk është vetëm element i mirëqeverisjes por sidomos imperativ i sigurisë publike e kombëtare.