Ballina Politika PD kërkesë tjetër Peleshit: Këshilli i Mandateve të mblidhet më 30 dhjetor...

PD kërkesë tjetër Peleshit: Këshilli i Mandateve të mblidhet më 30 dhjetor për heqjen e mandatit të Ballukut

32
0

Deputetët e Partisë Demokratike i janë drejtuar për herë të dytë me një shkresë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke kërkuar mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 30 dhjetor, për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Kjo kërkesë e dytë vjen pasi, sipas demokratëve, ata nuk u lejuan të premten të hynin në sallën ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit, për të mbajtur një takim vetëm me anëtarët e tij.

Në shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit, deputetët e PD-së kërkojnë thirrjen e mbledhjes ditën e martë, më 30 dhjetor, në orën 11:00, me rend dite vijimin e shqyrtimit të kërkesës nr. 13019, përmes së cilës Prokuroria e Posaçme ka kërkuar autorizimin e Kuvendit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Po ashtu, ata kërkojnë që njoftimi për datën, orën dhe rendin e ditës t’u përcillet anëtarëve të Këshillit, përfaqësuesve të Prokurorisë së Posaçme, deputetes Belinda Balluku, si dhe përfaqësuesit të saj ligjor.

Demokratët argumentojnë se periudha dyjavore e kaluar nga mbledhja e parë e Këshillit është e mjaftueshme që të gjitha palët të jenë njohur me aktet hetimore dhe të kenë përgatitur mbrojtjen e tyre.

Në shkresë përmendet gjithashtu shqetësimi i shprehur nga SPAK, sipas të cilit Balluku dyshohet se ka intimiduar dëshmitarë dhe se ekziston rreziku i prishjes së provave, çka, sipas PD-së, e bën të domosdoshme një vendimmarrje të shpejtë për kërkesën e heqjes së imunitetit.

Në përfundim, deputetët e PD-së kërkojnë që të mos pengohet procesi i drejtësisë, duke theksuar se në rast se mbledhja kërkohet nga gjysma e anëtarëve të Këshillit, kryetari i Kuvendit ka detyrimin ligjor të njoftojë rendin e ditës dhe zhvillimin e saj.