Në qytetin e Ersekës, në juglindje të Shqipërisë ka nisur ndërtimin një central i ri fotovoltaik. Bëhet fjalë për një projekt të kompanisë turke të energjisë të rinovueshme Fortis Energy.
Projekti, i cili do të ketë një kapacitet maksimal prej 75 MW, parashikohet të prodhojë rreth 135 GWh energji elektrike në vit duke kombinuar prodhimin e energjisë nga dielli me kapacitete moderne magazinimi të saj. Punimet po kryhen në fshatin Taç-Lartë të Kolonjës.
Sipas kompanisë, ekipet janë tashmë në terren dhe “aktivitetet po zhvillohen në përputhje të plotë me kërkesat dhe standardet e Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.”
Paralelisht me nisjen e ndërtimit, Fortis Energy ka hapur procesin për përzgjedhjen e furnitorëve dhe kontraktorëve të kualifikuar, të cilët ftohen të paraqesin interes për paketat e ardhshme të ndërtimit dhe prokurimit.
Leja e ndërtimit për parkun diellor u miratua nga qeveria shqiptare në muajin qershor. Në bazë të dokumentit zyrtar, koha e ndërtimit dhe pajisjes me lejen përkatëse do të zgjasë maksimumi 3 vjet, ndërsa afati i operimit të centralit është i përcaktuar për 49 vjet. Kjo e bën këtë projekt një prej investimeve më të mëdha të energjisë fotovoltaike në rajonin e Juglindjes së Shqipërisë.







